Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili ka shprehur publikisht ambicien për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, ka bërë deklarata të forta për zhvillimet brenda mazhorancës.
I ftuar në emisionin “Koha Jonë-Debat”, me moderator Nikoll Lesin, Braçe foli për situatën e Erion Veliajt, garën për Bashkinë e Tiranës dhe mënyrën se si duhet të përzgjidhet kandidati socialist për kryeqytetin.
Duke folur për Veliajn, Braçe tha se ai duhet të kthehet në krye të detyrës dhe se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen.
“Me dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, Erion Veliaj sot nuk duhet të jetë në burg. Nuk ka vendime për këdo në këtë vend. Duhet të respektohen vendimet e Gjykatës së Lartë për masën e arrestit dhe kthimin në detyrë. Unë mendoj që Veliaj duhet të përgjigjet deri në fund, por Veliaj, në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duhet të bëjë detyrën. Duhet t’i bëjë të dyja, edhe të përgjigjet përballë drejtësisë, edhe të bëjë detyrën”, deklaroi Braçe.
Sa i përket garës për Bashkinë e Tiranës, deputeti socialist tha se nuk e sheh postin e kryebashkiakut si një shkallë për karrierë politike, por si një vend pune.
“E para që dua të them është se Bashkia e Tiranës është vend pune. Të punosh si kryetar i Bashkisë së Tiranës është vend pune. Çfarë po kërkoj unë? Po kërkoj të drejtën për të kandiduar për postin e kryetarit të PS-së, brenda strukturave të PS-së dhe më pas në elektorat”, tha ai.
Braçe pati edhe një mesazh për ata që, sipas tij, e shohin drejtimin e Bashkisë së Tiranës si një mundësi për të avancuar në karrierën politike.
“Ka këtu në Tiranë që e duan Bashkinë e Tiranës si qokë karriere. E duan si një vend të epërm për karrierën e tyre, e duan për t’u bërë kryetar partie dhe kryeministër, e duan për t’u bërë kryetar i mazhorancës. Unë s’i kam këto ambicie dhe dua të bëj punën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe jo të bëj kapardisjen”, u shpreh deputeti.
Në vijim, Braçe zbuloi se deri tani nuk ka pasur një komunikim me kryeministrin Edi Rama lidhur me kandidaturën për Tiranën. Ai tha gjithashtu se Ogerta Manastirliu nuk është më kandidatja e socialistëve për kryeqytetin.
Braçe kundërshtoi gjithashtu mënyrën e përzgjedhjes së kandidaturave për bashkitë, duke theksuar se emrat duhet të zgjidhen përmes garës brenda partisë dhe jo thjesht t’u komunikohen strukturave.
“Deri tani Edi Rama nuk më ka pyetur dhe, kur të pyesë, do t’ia them. Ogerta Manastirliu? Ishte për atë garën e shpejtë. Në këtë vend, sipas Kushtetutës dhe statusit të partisë, ka të drejtë që të zgjidhet dhe jo të njoftohet. Pra, që të mblidhemi në Kryesinë e Partisë dhe të njoftojmë filanin për kryetar të Bashkisë, jo. Duhet të shkojmë te parimet e partisë”, tha Braçe.
Në fund, deputeti socialist bëri të qartë se nuk do ta pranonte një kandidim nëse emri i tij thjesht do të njoftohej nga strukturat drejtuese, pa kaluar përmes një procesi zgjedhor brenda partisë.
“Kjo nuk është çështje e vullnetit personal, e lëmë këtu dhe nuk pranoj që të kandidoj, se unë s’jam njoftim. Unë po kërkoj që Partia Socialiste të hapë garë brenda Partisë Socialiste, edhe për të energjizuar partinë, por edhe për të ndryshuar formën e vendimmarrjes. Edhe nëse në 4 vitet e ardhshme, nëse PS merr vendimmarrje pa pyetur anëtarësinë, ne nuk kemi kuptuar asgjë nga ajo që po ndodh gjatë gjithë verës”, theksoi Braçe.
Deklaratat e tij hapin kështu një debat të drejtpërdrejtë brenda Partisë Socialiste për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatit për Bashkinë e Tiranës, ndërsa Braçe këmbëngul për një garë brenda strukturave të partisë përpara se emri të çohet te elektorati.



