Avokatët ndërkombëtarë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë kërkuar leje nga SPAK për ta takuar atë në paraburgim më 10 shtator.
Sipas kërkesës së mbrojtjes, takimi lidhet me përgatitjen e ankimit që pritet të dërgohet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, lidhur me masën e arrestit ndaj Veliajt. Avokatët kërkojnë që kryebashkiaku të firmosë dokumentet që do t’i bashkëngjiten apelit.
Ky do të ishte takimi i dytë i avokatëve britanikë me Veliajn. Takimi i parë u zhvillua më 28 korrik, kur dy avokatët e studios ndërkombëtare “Mishcon de Reya”, Ben Brandon dhe Celia Marr, qëndruan rreth pesë orë me të në paraburgim.
Ndërkohë, më 2 shtator, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e Erion Veliajt kundër vendimit të GJKKO-së për pezullimin e afateve të paraburgimit.
Mbrojtja ka kundërshtuar këtë vendim dhe ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë. Avokatët kanë argumentuar se zvarritja e seancave nuk ka ardhur për shkak të Veliajt, por si pasojë e mungesës së avokatëve të disa të pandehurve.
Në një rast, sipas mbrojtjes, mungoi avokati Maksim Haxhia, i cili mbron Ajola Xoxën, ndërsa në një tjetër seancë mungoi avokati i një prej të pandehurve të tjerë.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të SPAK. Ai vijon të mbahet i izoluar në burgun e Durrësit, ndërsa beteja e tij ligjore tashmë pritet të vijojë edhe në Gjykatën e Lartë dhe në Strasburg.



