KreuAktualitetBrahaj “thumbon” mediat pas ngjarjes në Vlorë/ “Kush ishte burimi për gjobën?”

Brahaj “thumbon” mediat pas ngjarjes në Vlorë/ “Kush ishte burimi për gjobën?”

“Disinformimi me të njëjtin lokacion!”. Kështu e nis reagimin e saj në rrjetet sociale Aranita Brahaj, e cila ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si u raportua ngjarja e djeshme në Vlorë dhe mbi versionet e ndryshme që qarkulluan në media.

Brahaj e cilëson ngjarjen si një nga rastet më sfiduese për atë që ajo e quan liri, integritet dhe kapje të medias, duke vënë në pikëpyetje informacionet e publikuara fillimisht nga disa media.

Sipas saj, versionet e para të lajmit flisnin për një pengmarrje, gjoba dhe përfshirjen e bandave, madje duke u përmendur edhe një shumë konkrete parash. Por më pas, panorama ndryshoi.

Brahaj thekson, se ishin avokatët e palës tjetër ata që sollën sqarime mbi ngjarjen, duke paraqitur një tjetër version, atë të një përplasjeje për interesa biznesi, ku sipas tyre kishte pasur edhe kurthe dhe ngjarje të paraprira nga arrestime në Hipotekë.

Në këtë pikë, ajo u drejtohet gazetarëve që publikuan versionin e parë me një pyetje të drejtpërdrejtë: Cili ishte burimi i informacionit për pengmarrjen dhe gjobën?

“Gazetarët e versionit të parë të na thonë pak burimin ku e kishin për atë lajmin me gjoba? Ndërsa redaksitë e Tiranës ta ndajnë mendjen, punojnë me gazetarë apo me pseudo?”, shkruan Brahaj.

Në reagimin e saj, ajo sjell edhe një rast të ngjashëm të disa viteve më parë, po në Vlorë dhe, sipas saj, në të njëjtin lokalitet.

Bëhet fjalë për një efektiv policie që kishte përfunduar me shpatull të thyer. Brahaj kujton se në atë kohë media lokale kishte dhënë një version të ngjarjes, ndërsa vetëm shumë më vonë një media intervistoi vëllain e efektivit për të sjellë një tjetër këndvështrim.

Duke i lidhur dy episodet, Brahaj lë një pyetje të hapur për mënyrën se si media raporton ngjarjet në zona të caktuara dhe se sa shpesh versioni i parë i një lajmi rezulton të jetë edhe versioni i vërtetë.

 

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat