Një incident i pazakontë është denoncuar këtë të premte në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Avokati Dorian Matlija ka bërë publik rastin, duke pretenduar se nuk është lejuar të hyjë në sallën e gjyqit pasi ka refuzuar të dorëzojë telefonin celular.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Matlija ka kritikuar rregulloren e re për sigurinë, rendin dhe solemnitetin në GJKKO, e cila parashikon kufizime për pajisjet elektronike gjatë hyrjes në sallat e gjyqit.
Sipas avokatit, rregullorja ndalon telefonat celularë, ndërsa lejon pajisje të tjera si laptopët dhe tabletët. Ai pretendon gjithashtu se rregulli nuk zbatohet njësoj për të gjithë, duke ngritur pikëpyetje për faktin se prokurorët, sipas tij, lejohen të hyjnë në sallë me telefonat e tyre.
Matlija tregon se incidenti ndodhi teksa ishte para sallës së gjyqit, ku do të merrte pjesë në një seancë. Ai thotë se, pasi refuzoi të dorëzonte telefonin, nuk u lejua të kalonte në sallë.
Avokati pretendon se gjyqtarja e çështjes u vu në dijeni për situatën dhe e konsideroi të arsyeshëm shqetësimin e tij, duke deklaruar se edhe asaj i nevojitej telefoni për arsye pune. Megjithatë, sipas Matlijës, pas konsultimit me prokurorin, iu komunikua se rregulli duhej zbatuar dhe se ai mund ta kundërshtonte vendimin në rrugë ligjore.
Por situata, sipas avokatit, nuk përfundoi aty.
Matlija pretendon se Prokuroria kërkoi vendosjen e një gjobe prej 50 mijë lekësh ndaj tij, masë që, sipas tij, u pranua nga gjykata. Avokati thotë se e ka kundërshtuar vendimin dhe ka depozituar ankim.
Në reagimin e tij, Matlija e ka cilësuar situatën si një shembull të asaj që ai e konsideron problematike në mënyrën e zbatimit të rregullores së re në GJKKO.
Ai argumenton se rregullorja ka karakter administrativ dhe se, kur çështja lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e një seance gjyqësore, vendimmarrja duhet t’i takojë trupit gjykues.
Avokati ka kritikuar edhe rolin e shërbimit të sigurisë në hyrje të gjykatës, duke pretenduar se në praktikë rojet po marrin kompetenca që ndikojnë në zhvillimin e seancave.
Matlija ka paralajmëruar se do të vijojë ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore dhe shprehet se disa prej dispozitave të rregullores, sipas tij, mund të rrëzohen në të ardhmen.
“Do të kemi një gjykatë që do vazhdojë të mbulojë kokën krijuese të rregullores nën hijen e një burokracie që ka harruar se kush administron godinën dhe kush administron drejtësinë”, shkruan ai në reagimin e tij.



