KreuAktualitetPolitikaNga kandidati i opozitës në “pa parti”/ Florjan Binaj sfidon skemën e...

Nga kandidati i opozitës në “pa parti”/ Florjan Binaj sfidon skemën e Berishës për Tiranën

Thuajse një vit më parë, Florjan Binaj u shfaq si një nga figurat kryesore të opozitës për të sfiduar Erion Veliajn në Bashkinë e Tiranës. Sot, situata është krejt tjetër.

Aktori ka konfirmuar se do të garojë për kryeqytetin si kandidat i pavarur, duke u distancuar kështu nga skema e një kandidature të përbashkët opozitare. Ndërkohë, Sali Berisha nuk e përmend më Binajn si alternativë të opozitës për Bashkinë e Tiranës.

Kandidatura e Binajt ishte prezantuar si pjesë e përpjekjes së opozitës për të dalë me një emër të vetëm përballë mazhorancës. Por gara e planifikuar nuk u zhvillua. Pas zhvillimeve në betejën ligjore për Bashkinë e Tiranës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese në favor të Erion Veliajt, skema politike për kryeqytetin ndryshoi.

Tani Binaj po zgjedh një rrugë tjetër, të kërkojë votën e qytetarëve pa një parti pas vetes.

Në një prononcim për Euronews Albania, ai ka argumentuar se Tirana ka nevojë për një drejtues që nuk përfaqëson një forcë politike dhe se qyteti duhet t’u rikthehet qytetarëve.

“Kushdo që mendon që ‘enough is enough’ (mjaft është mjaft), kushdo që mendon që ky qytet mund të përmirësohet, ashtu si çdo qytet, dhe mund të përmirësohet jo nëpërmjet algoritmit, mund të përmirësohet jo nëpërmjet like-ve, mund të përmirësohet jo nëpërmjet komenteve ‘Bravo shefi, yll shefi, sa i bukur shefi’ e postimeve, por sa do kapim e sa do postojmë”, deklaroi Binaj.

Aktori e bëri të qartë se kandidimin e sheh si një zgjedhje personale dhe si kontribut të tij në jetën publike.

“Unë mendoj që kjo është gjëja e duhur që duhet të bëj, jo vetëm unë, por kushdo që ka një kontribut në shoqëri”, tha ai.

Nga kandidatura e opozitës te kandidati i pavarur

Rasti i Binajt tregon edhe ndryshimin e kursit të opozitës për Tiranën.  Në fazën e parë, emri i tij u vendos në qendër të përpjekjes për të bashkuar votën opozitare. Por sot, Berisha ka deklaruar se është tërhequr nga marrëveshja me partitë e tjera për përcaktimin e një kandidati të përbashkët për Bashkinë e Tiranës.

Kjo e lë Binajn jashtë një formule të përbashkët partiake, pikërisht në momentin kur ai ka vendosur të rikthehet në garë.

Në kampin opozitar qarkullojnë edhe emra të tjerë. Mjeku Ilir Alimehmeti vazhdon të gëzojë mbështetje të konsiderueshme mes demokratëve, por deri tani nuk ka deklaruar publikisht se do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës.

Në këtë pikë, Binaj ka zgjedhur të mos presë një vendim nga partitë. Ai po e ndërton kandidimin e tij mbi një profil jashtë strukturave politike, duke tentuar ta kthejë garën për Tiranën në një përballje direkte me votuesit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat