Shqipëria ka përcaktuar një paketë prej 41 projektligjesh që pritet të shqyrtohen në komisionet parlamentare dhe më pas të votohen në Kuvend, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.
Projektligjet janë pjesë e agjendës europiane dhe prekin 14 kapituj të procesit të negociatave. Sipas dokumentit të hartuar për miratimin e tyre, bëhet fjalë si për ligje të reja, ashtu edhe për ndryshime në legjislacionin ekzistues, me synim përafrimin e mëtejshëm të kuadrit shqiptar me atë të BE-së.
Afati i përcaktuar në dokument është dhjetori i vitit 2026.
Nga peshkimi te pronësia intelektuale
Një pjesë e projektligjeve lidhet me fusha të ndryshme të ekonomisë dhe tregut.
Në Kapitullin 13, “Peshkimi dhe Akuakultura”, parashikohet ndryshimi i ligjit për peshkimin.
Në Kapitullin 7, “Pronësia Intelektuale”, janë përfshirë disa nisma që lidhen me të drejtën e autorit, disenjot, treguesit gjeografikë, markat tregtare dhe patentat.
Ndërkohë, Kapitulli 6, “Legjislacioni për shoqëritë tregtare”, përfshin ndryshime në ligjin për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, regjistrimin e biznesit dhe Qendrën Kombëtare të Biznesit. Në këtë paketë është edhe projektligji për shndërrimin, bashkimin dhe ndarjen ndërkufitare të shoqërive tregtare.
Banka, pagesat dhe pastrimi i parave
Një tjetër grup projektligjesh prek sektorin financiar.
Në Kapitullin 17, “Politika Ekonomike dhe Monetare”, janë parashikuar projektligji për Bankën e Shqipërisë dhe ai për krijimin e Këshillit Fiskal.
Në Kapitullin 4, “Lëvizja e Lirë e Kapitalit”, përfshihen ndryshime në legjislacionin për sistemin dhe shërbimet e pagesave, si dhe një projektligj i ri për parandalimin e pastrimit të parave.
Edhe prokurimi publik është pjesë e agjendës. Në Kapitullin 5 parashikohen ndryshime në ligjin për prokurimin publik, si dhe në legjislacionin për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Tatimet, një nga paketat më të mëdha
Një numër i konsiderueshëm projektligjesh lidhen me Kapitullin 16, “Tatimet”.
Në këtë paketë përfshihen rregulla të reja për bashkëpunimin administrativ dhe shkëmbimin e informacionit tatimor, si dhe disa mekanizma të shkëmbimit automatik të të dhënave.
Mes tyre janë projektligjet për DAC1, DAC2, DAC3, DAC6, DAC7, DAC8 dhe DAC9, që lidhen me shkëmbimin e informacionit tatimor, llogaritë financiare, marrëveshjet ndërkufitare, platformat digjitale, kripto-asetet dhe deklaratat informative të tatimit shtesë.
Kripto-asetet dhe tregjet financiare
Në Kapitullin 9, “Shërbimet financiare”, janë përfshirë projektligji për mbikëqyrjen plotësuese të institucioneve financiare, ai për tregjet e kripto-aseteve dhe ndryshime në ligjin për bankat në Republikën e Shqipërisë.
Kjo pjesë e agjendës synon të përafrojë më tej rregullat shqiptare me standardet europiane në sektorin financiar.
Energjia dhe transporti
Në Kapitullin 15, “Energjia”, janë parashikuar tre nisma që lidhen me eficiencën energjetike, ekodizajnin e produkteve me ndikim në energji dhe krijimin e rezervave minimale të sigurisë për naftën bruto dhe nënproduktet e saj.
Ndërkohë, në Kapitullin 14, “Politika e Transportit”, parashikohet ndryshimi i ligjit për transportin e mallrave të rrezikshme.
Digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale
Një tjetër pjesë e rëndësishme e paketës lidhet me teknologjinë dhe median.
Në Kapitullin 10, “Shoqëria e Informacionit dhe Media”, janë përfshirë ndryshime në ligjin për komunikimet elektronike, projektligji për shërbimet digjitale, masat për uljen e kostos së vendosjes së rrjeteve të komunikimit gigabit dhe rregullat për bllokimin gjeografik.
Në këtë kapitull është përfshirë edhe një projektligj për rregullat e harmonizuara mbi inteligjencën artificiale, duke e bërë AI-në një nga fushat e reja që Shqipëria synon ta përafrojë me kuadrin europian.
Drejtësia dhe të drejtat themelore
Agjenda përfshin gjithashtu Kapitullin 23, “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”.
Në këtë kapitull janë përfshirë projektligji për financimin e partive politike dhe ai për donacionet dhe sponsorizimet.
Ndërkohë, në Kapitullin 32, “Kontrolli Financiar”, është parashikuar një projektligj për ndryshime në Kodin Penal.
Konkurrenca dhe ndihma shtetërore
Në Kapitullin 8, “Politika e Konkurrencës”, është përfshirë projektligji për ndryshime në ligjin për ndihmën shtetërore.
Në total, paketa përfshin 41 projektligje, të cilat duhet të kalojnë në procesin parlamentar gjatë muajve në vijim.
Miratimi i tyre synon të avancojë përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Europian dhe të ndihmojë Shqipërinë në përmbushjen e detyrimeve të procesit të negociatave.



