Gjyqtarët kanë depozituar kallëzim penal lidhur me mosekzekutimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026.
Mes personave të kallëzuar është edhe ministri i Financave, Petrit Malaj.
Në kallëzim i kërkohet prokurorisë të hetojë rrethanat e krijuara dhe të identifikojë personin ose personat që kanë marrë, transmetuar apo zbatuar vendimmarrjen që ka sjellë mosekzekutimin e pagave.
Në dokument thuhet se situata nuk prek vetëm një magjistrat, por një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh në të gjithë vendin.
“Ky kallëzim paraqitet për shkak të situatës së krijuar nga mosekzekutimi i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026, situatë e cila nuk prek një magjistrat të vetëm, por një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në kallëzim.
Sipas dokumentit, prokuroria duhet të identifikojë personin ose personat që kanë marrë, transmetuar ose zbatuar vendimmarrjen konkrete që ka sjellë mosdhënien e pagave.
Në kallëzim theksohet gjithashtu se ai nuk lidhet me zëvendësimin e mjeteve administrative, gjyqësore apo institucionale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi mënyrën e përllogaritjes së pagave.
“Qëllimi i tij është vetëm hetimi penal i ligjshmërisë së veprimeve ose mosveprimeve konkrete që kanë sjellë mosekzekutimin e pagave dhe përcaktimi i përgjegjësisë individuale sipas ligjit”, thuhet në dokument.



