KreuAktualitetPolitika“Na latë përballë faktit të kryer”/ Ndoka përplaset me Berishën për hartën...

“Na latë përballë faktit të kryer”/ Ndoka përplaset me Berishën për hartën territoriale

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar në selinë e PD-së, ku një nga diskutimet kryesore ka qenë reforma territoriale dhe qëndrimi i opozitës ndaj mazhorancës.

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, kritikoi mënyrën se si Partia Demokratike ka ndjekur procesin e rishikimit të hartës territoriale, duke thënë se partitë aleate nuk janë konsultuar në kohë dhe se propozimi për 100 bashki nuk është i mjaftueshëm.

Ndoka tha se opozita duhej të kishte kërkuar që në fillim një diskutim me mazhorancën për parimet e reformës dhe numrin e bashkive.

“Është gabim që në zanafillë që morëm pjesë në komisionet e rëndësishme. Nuk u konsultuam me mazhorancën në parim për uljen apo rritjen e numrit të bashkive. Nuk u qartësuam nëse do të ndryshohej sistemi apo do të përmirësohej”, deklaroi Ndoka.

Ai kritikoi edhe procesin e dëgjesave publike, duke pretenduar se aleatët e PD-së nuk ishin njoftuar për zhvillimin e tyre.

“Ne si parti aleate nuk u njoftuam fare, nuk dinim as kur organizoheshin dëgjesat. Në fund u vumë përballë një fakti të kryer”, tha Ndoka.

Sipas tij, edhe propozimi i PD-së për 100 bashki duhet të ishte më ambicioz, ndërsa numri mund të shkonte deri në 200.

Ndoka e lidhi reformën territoriale edhe me mënyrën se si funksionon opozita përballë qeverisë së Edi Ramës. Ai tha se bojkotimi i zgjedhjeve dhe dalja nga sistemi politik i kanë dhënë më shumë hapësirë mazhorancës.

“Ne për fatin e keq ia kemi përsosur sistemin e tij Ramës. Me bojkotin e zgjedhjeve dhe daljen nga sistemi. Me këtë dhuratë është bërë shumë më i rrezikshëm”, u shpreh ai.

Ndoka kërkoi gjithashtu një aksion politik më konkret nga opozita, duke argumentuar se pakënaqësia ndaj qeverisë nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete.

Nga ana tjetër, Sali Berisha iu përgjigj kritikave duke e vendosur diskutimin në kuadrin e strategjisë së opozitës përballë mazhorancës.

“Faleminderit për vërejtjet. Kjo është një opozitë në diktaturë dhe kemi vetëm dy opsione. Është diktaturë e bazuar në fuqinë e parave të drogës. Opozita ose vendos të dalë jashtë institucioneve, ose të vazhdojë betejën brenda institucioneve”, tha Berisha.

Kreu i PD-së ngriti pikëpyetje mbi efektivitetin e bojkotimit të institucioneve, duke theksuar se edhe në rast të mospjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje, mazhoranca mund t’i zhvillojë ato.

“Sesi e bllokon kur merr 83 mandate, unë nuk e di. Po nuk more pjesë në zgjedhje, ai i zhvillon siç e bëri”, deklaroi Berisha.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat