Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një shpërblim prej 2,500 eurosh për çdo efektiv policie të angazhuar në vijën e parë të protestave, ndërsa nga 1 janari paralajmëroi edhe rritje të konsiderueshme të pagave.
Gjatë një takimi këtë të hënë me drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, Rama vlerësoi angazhimin e efektivëve gjatë përplasjeve të ditëve të fundit dhe deklaroi se shuma prej 2,500 eurosh do të jetë e njëjtë për të gjithë punonjësit që përfshihen në këtë kategori.
“Për të gjithë rezistencën, për të gjithë sakrificën, për të gjithë kurajën dhe, mbi të gjitha, për dinjitetin me të cilin ju po u dilni përballë, ne do t’ju vëmë menjëherë në dispozicion një shumë prej 2,500 eurosh për çdo efektiv që është në këtë front”, u shpreh Rama.
Kryeministri shpjegoi se vendimi është marrë për të mos bërë dallime mes efektivëve në bazë të pagës. Sipas tij, angazhimi në terren gjatë kësaj periudhe shoqërohet me presion dhe shpenzime shtesë për punonjësit e policisë.
Rama njoftoi gjithashtu se me buxhetin e ri, nga 1 janari, pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit do të rriten në mënyrë të konsiderueshme. Ai pranoi se pagat nuk janë rritur aq sa duhet gjatë viteve të fundit.
“Me buxhetin e ri, nga 1 janari, paga juaj do të rritet në mënyrë të konsiderueshme”, deklaroi kreu i qeverisë.
Gjatë takimit, Rama dënoi sulmet ndaj efektivëve dhe kundërshtoi thirrjet që policia të tërhiqet përballë protestuesve. Ai theksoi se shteti nuk mund të pranojë dhunën si mjet presioni apo negocimi.
Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se gjatë gjashtë ditëve të protestave janë regjistruar 295 persona të lënduar, mes tyre 186 punonjës policie. Sipas ministrit, mes të lënduarve ka edhe protestues, kalimtarë dhe gazetarë.
Deklaratat vijnë pas përshkallëzimit të protestave dhe sulmit ndaj Komisariatit nr. 3 në Tiranë.



