Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Elisa Spiropali ka munguar në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, të thirrur nga kryeministri Edi Rama, në një moment kur protestat e studentëve dhe të rinjve kanë vënë në qendër të debatit politik kërkesën për ndryshim dhe përgjegjësi nga qeveria.
Spiropali ishte e vetmja deputete që nuk mori pjesë në mbledhjen e sotme të grupit socialist. Mungesa e saj vjen pak ditë pasi ajo iu drejtua Ramës me një letër të hapur, ku kërkoi një zgjidhje politike për situatën e krijuar pas nisjes së protestave, si dhe hapjen e rrugës për kapërcimin e krizës.
Në mesazhin e saj, Spiropali i kërkoi kryeministrit të mos fshihej pas shumicës parlamentare, duke nënvizuar nevojën për reflektim dhe përgjegjësi politike përballë zhvillimeve në vend.
Mungesa e saj vjen në një moment të ndjeshëm për Partinë Socialiste, ndërsa qëndrimi publik i deputetes ka nxitur diskutime për raportet e saj me kryeministrin.
Balla: Studentët duhet të dëgjohen, koha për një Pakt të ri për Universitetin
Në të njëjtën mbledhje, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u ndal te protestat studentore dhe kërkoi që palët të ulen në tryezën e dialogut.
“Studentët duhet të dëgjohen”, deklaroi Balla, duke shtuar se qeveria dhe kryeministri kanë ofruar mundësinë e bisedimeve për të diskutuar kërkesat e tyre.
Sipas tij, është momenti për një Pakt të ri për Universitetin, ndërsa studentët duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre për të zhvilluar diskutimet me kryeministrin dhe ministrat përkatës.
Balla solli në vëmendje edhe kushtet në konvikte, duke njoftuar se ditën e enjte në Kuvend pritet të votohet një marrëveshje me Republikën Federale të Gjermanisë dhe bankën gjermane KfW, që synon më shumë investime në këtë drejtim.
Kreu i grupit socialist tha se kushtet në konvikte janë përmirësuar krahasuar me të kaluarën, por pranoi se kërkesat për kushte më të mira duhet të diskutohen.
Ai u ndal edhe te dëmet e shkaktuara gjatë protestave në bulevard, biznese dhe institucione, duke argumentuar se ato përbëjnë një kosto që mund të përdorej për investime të tjera publike.
Balla dënon dhunën dhe mbron Policinë e Shtetit
Gjatë deklaratës së tij, Balla dënoi sulmet ndaj punonjësve të policisë dhe dëmtimin e institucioneve e bizneseve.
“Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dënon dhunën”, u shpreh ai, duke theksuar se goditja ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit përbën vepër penale.
Balla krahasoi situatën në Shqipëri me protestat në vende të tjera, duke pretenduar se në vendin tonë pjesa më e madhe e personave të lënduar që kanë marrë trajtim në spital janë punonjës policie.
Ai u ndal edhe te përfshirja e të miturve në protesta, duke ia atribuar prindërve përgjegjësinë për të mos lejuar që fëmijët të përfshihen në akte dhune apo të përdoren për qëllime politike.
Sa i përket situatës në arsim, Balla e cilësoi vijimin e mësimit në shkolla si një zhvillim pozitiv, ndërsa u bëri thirrje studentëve të pranojnë dialogun e propozuar nga qeveria.
Në fund, ai e cilësoi sulmin ndaj institucioneve si një ngjarje të rëndë, duke deklaruar se godina e sulmuar nuk ishte përballur me një situatë të tillë as në vitet 1997 dhe 1998.
Përplasjet brenda PS-së në sfondin e protestave
Mungesa e Spiropalit në mbledhjen e fundit vjen pas qëndrimeve të saj publike për nevojën e reflektimit brenda Partisë Socialiste dhe për një zgjidhje politike të krizës.
Në letrën drejtuar Ramës, ajo kërkoi që përgjegjësia për situatën të mos shmangej përmes shumicës parlamentare, por të shoqërohej me hapa konkretë për kapërcimin e saj.
Ndërkohë, Rama dhe drejtuesit e PS-së kanë këmbëngulur te dialogu me studentët dhe vijimi i punës parlamentare. Balla tha se agjenda e Kuvendit është intensive, veçanërisht për ligjet që lidhen me procesin e integrimit europian, dhe se shtyrja e punimeve mund të ndikojë në përmbushjen e afateve.
“Dil përballë qytetarëve, mos u fshih pas 82 mandateve”/ Spiropali i kërkon dorëheqjen Ramës
Pas letrës Ramës, e-mail misterioz në Kuvend/ Spiropali plan për të marrë qeverinë?
“Nuk më shantazhon dot askush”/ Spiropali mesazh Ramës me deputetin e PD-së



