Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Një postim i shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale, ku pretendohej se nëntë studentë kishin humbur kontaktet me familjarët pas protestës së zhvilluar pranë Ministrisë së Arsimit, ka shkaktuar shqetësim dhe reagime të shumta.
Postimi shoqërohej me fotografitë e të rinjve dhe pretendimin se ata nuk po gjendeshin, ndërsa telefonat celularë rezultonin të fikur. Informacioni ngriti alarm te familjarët dhe përdoruesit e rrjeteve sociale.
Por pretendimet për zhdukjen e studentëve janë hedhur poshtë nga Agjencia për Media dhe Informim (MIA), e cila ka sqaruar se të nëntë të rinjtë janë shëndoshë e mirë.
Sipas reagimit zyrtar, studentët kanë konfirmuar personalisht pranë universitetit ku studiojnë se janë mirë dhe se informacioni i shpërndarë në rrjet është i pavërtetë.
“Studentët e shfaqur në këto fotografi kanë konfirmuar personalisht pranë Universitetit të tyre se janë shëndoshë e mirë dhe se ky lajm është krejtësisht i pavërtetë”, thuhet në deklaratën e MIA-s.
Agjencia bën me dije se edhe vetë të rinjtë kanë shprehur shqetësimin për publikimin dhe shpërndarjen e fotografive të tyre, duke theksuar se kjo ka shkaktuar alarm të panevojshëm te familjarët.
Në përfundim, MIA u ka bërë thirrje mediave dhe përdoruesve të rrjeteve sociale të mos përhapin informacione të paverifikuara, të cilat mund të krijojnë panik dhe shqetësim te qytetarët.



