Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ergys Verdhos i janë komunikuar sot akuzat nga Prokuroria e Posaçme, në kuadër të dosjes që përfshin ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, si dhe disa zyrtarë të tjerë të lidhur me institucionet që ajo ka drejtuar.
Verdho është paraqitur në SPAK për t’u njohur me akuzat për shkelje të dyshuara gjatë periudhës kur drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH), në kohën kur Balluku ishte ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Komunikimi i akuzave ndaj tij vjen pak ditë pasi SPAK njoftoi zyrtarisht akuzat përfundimtare ndaj Ballukut, duke sinjalizuar vijimin e veprimeve procedurale ndaj personave të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje.
Nga drejtues i Hekurudhave, te përballja me SPAK-un
Verdho mbante deri vonë detyrën e drejtuesit të Hekurudhës Shqiptare, por dha dorëheqjen pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama për largimin e një grupi drejtuesish të institucioneve publike.
Largimi nga posti vjen në një moment kur emri i tij është pjesë e hetimeve të SPAK-ut për çështje që lidhen me periudhën kur drejtonte ARRSH-në.
Prokurori i çështjes, Dritan Prençi, ka afat deri në janar të vitit 2027 për përfundimin e hetimeve. Dosja përfshin Ballukun dhe një sërë ish-zyrtarësh e zyrtarësh që kanë qenë pjesë e institucioneve nën varësinë e saj.
Pesë kategori akuzash ndaj Ballukut
Në njoftimin zyrtar të 20 tetorit 2026, SPAK bëri të ditur se Belinda Ballukut i janë komunikuar akuzat përfundimtare për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim dhe në nëntë raste, si dhe për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe të funksionarëve të lartë shtetërorë.
Ajo akuzohet gjithashtu për mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive dhe interesave privatë, në dy raste, si dhe për pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, në lidhje me dy pasuri të paluajtshme.
SPAK ka njoftuar se po vijon veprimet procedurale për t’u komunikuar akuzat edhe personave të tjerë të përfshirë në dosje.



