Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, paralajmëroi se Policia e Shtetit po punon për identifikimin e protestuesve që kanë ushtruar dhunë ndaj efektivëve, institucioneve dhe pronës publike e private.
Por, ndërsa ministri vë theksin te pamjet filmike dhe teknologjia për të identifikuar personat që kanë kryer akte dhune, mbetet jashtë deklaratës së tij një çështje tjetër, si përgjegjësia për përdorimin e forcës nga vetë policia gjatë protestave.
Në një deklaratë për mediat, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Demo tha se autoritetet po analizojnë qindra orë filmime nga mediat, kamerat e institucioneve dhe rrjetet sociale për të identifikuar personat e përfshirë në incidentet e ditëve të fundit.
Sipas ministrit, teknologjia po e përshpejton procesin e identifikimit, edhe në rastet kur protestuesit kanë qenë të maskuar. Ai garantoi se policia do të vijojë punën për të çuar përpara drejtësisë personat që kanë dëmtuar pronën publike apo private.
“Policia e Shtetit do të punojë çdo ditë për aq kohë sa duhet për të vënë përpara drejtësisë të gjithë ata të cilët kanë shkatërruar pronën publike, të gjithë ata të cilët kanë cenuar bizneset private”, deklaroi Demo.
Deklarata e ministrit u përqendrua vetëm te veprimet e protestuesve, pa trajtuar në të njëjtën mënyrë edhe sjelljen e efektivëve të policisë gjatë përballjeve me ta.
A do të përdoren të njëjtat standarde edhe për policinë?
Nëse pamjet filmike dhe teknologjia konsiderohen mjete të rëndësishme për identifikimin e protestuesve që kanë kryer akte dhune, i njëjti parim duhet të vlejë edhe për verifikimin e veprimeve të punonjësve të policisë. Pamjet e protestave mund të shërbejnë për të sqaruar jo vetëm dëmtimet e pronës dhe sulmet ndaj efektivëve, por edhe rrethanat në të cilat policia ka përdorur forcën.
Deri më tani, në deklaratën e tij, Demo nuk bëri të ditur nëse po zhvillohet një proces i posaçëm për shqyrtimin e veprimeve të efektivëve gjatë protestave, nëse janë evidentuar ankesa për përdorim të tepruar të forcës apo nëse ka nisur ndonjë hetim për raste të tilla.
Kështu, ndërsa ministri premton identifikimin e çdo protestuesi që ka kryer shkelje, çështja e llogaridhënies së policisë mbetet pa një përgjigje publike në deklaratën e tij.
Policia qëllon protestuesit edhe me plumba gome/ Ku është Prokuroria?
Rama flet për Shqipërinë që “nuk rrëzohet”/ Policia hedh gaz lotsjellës ndaj studentëve



