Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Prokuroria duhet të verifikojë me urgjencë përdorimin e forcës nga policia gjatë protestave në Tiranë.
E Vërteta.al i ka dërguar një kërkesë zyrtare organit të akuzës, duke kërkuar informacion nëse kanë nisur hetime për veprimet e efektivëve, përdorimin e mjeteve që protestuesit i identifikojnë si plumba gome dhe përgjegjësinë e personave që kanë urdhëruar ndërhyrjen.
Përplasjet e ditëve të fundit, të dokumentuara në pamje filmike të publikuara në media dhe rrjetet sociale, ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si është ushtruar forca nga Policia e Shtetit dhe nëse ndërhyrja ka qenë në përputhje me ligjin.
Gjatë protestës pranë Ministrisë së Arsimit, policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe, sipas raportimeve dhe pretendimeve të protestuesve, edhe plumba gome. Disa qytetarë kanë dalë para kamerave duke treguar objekte që pretendojnë se janë përdorur nga efektivët gjatë përplasjeve.
Pamjet filmike përbëjnë materiale që mund të ndihmojnë në identifikimin e episodeve konkrete, personave të përfshirë dhe rrethanave në të cilat është përdorur forca.
A duhet të kishte nisur Prokuroria hetimet kryesisht?
Kur gjatë një ngjarjeje shfaqen indicie për vepra penale, organi i prokurorisë mund të nisë procedimet sipas kompetencave dhe kushteve të parashikuara nga ligji, pa pritur domosdoshmërisht një kallëzim nga qytetarët.
Për këtë arsye, E Vërteta.al kërkon të mësojë nëse Prokuroria ka kryer verifikime për incidentet e dokumentuara, nëse ka administruar pamjet filmike dhe nëse ka identifikuar efektivët që kanë ndërhyrë gjatë protestës.
Në kërkesën e dërguar, redaksia kërkon gjithashtu informacion nëse janë marrë në shqyrtim pretendimet për dëmtime fizike të protestuesve, nëse janë administruar prova mjekësore dhe nëse po verifikohet përgjegjësia e drejtuesve që kanë urdhëruar ndërhyrjen policore.
Një tjetër pikë e rëndësishme është ekspertimi i objekteve të paraqitura nga qytetarët si plumba gome.
Për E Vërteta.al, çështja nuk lidhet vetëm me përplasjet mes protestuesve dhe efektivëve, por edhe me detyrimin për të hetuar çdo dyshim të arsyeshëm për shkelje të ligjit nga personat që ushtrojnë autoritet publik.
Tashmë pritet përgjigjja e Prokurorisë. Redaksia kërkon transparencë mbi veprimet e ndërmarra dhe sqarim nëse për këto ngjarje ka nisur një hetim, cilat episode po verifikohen dhe nëse do të përcaktohet përgjegjësia individuale për veprimet e kryera gjatë protestave.
“Na qëlluan me plumba gome”/ Protestuesit tregojnë objektet para kamerave
Përplasje të forta para Ministrisë së Arsimit/ Policia qëllon me gaz e plumba gome
Shenja dhune te 26 të arrestuar/ Të arrestuarit flenë në dysheme, mungojnë uji dhe ngrohja



