Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Protesta e sotme është shoqëruar me përplasje të forta mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, ndërsa përdorimi i molotovëve, fishekzjarrëve dhe gazit lotsjellës ka përfshirë disa zona të kryeqytetit.
Në ditën e 12-të të protestës, situata është tensionuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Skënderbej” dhe në zona të tjera të qytetit. Efektivët e policisë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe autobotet me ujë për të shpërndarë turmat, ndërsa protestuesit janë përpjekur të riorganizohen dhe të vijojnë marshimin drejt Kryeministrisë.
Molotovë ndaj policisë, flakët përfshijnë Teatrin e Kukullave
Një nga momentet më të rënda të protestës është shënuar pranë Teatrit të Kukullave në Tiranë, ku një grup protestuesish kanë hedhur disa molotovë drejt godinës. Pas hedhjes së mjeteve ndezëse, pjesa e jashtme e teatrit është përfshirë nga flakët.

Ndërkohë, protestuesit i kanë vënë zjarrin edhe derës së Ministrisë së Mjedisit, duke shtuar bilancin e incidenteve gjatë tubimit.
Përplasjet janë përshkallëzuar edhe në bulevardin “Zhan D’Ark”, ku një grup protestuesish, të udhëhequr nga reperi i njohur si Stresi, kanë hedhur në drejtim të efektivëve molotovë dhe fishekzjarrë. Pas përplasjes, protestuesit janë tërhequr nga zona.
Efektivi përfshihet nga flakët pas hedhjes së molotovëve
Një efektiv policie, i ndodhur pranë selisë së Partisë Socialiste, është përfshirë nga flakët gjatë hedhjes së molotovëve nga protestuesit.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë efektivin duke vrapuar dhe duke u rrotulluar në tokë, në përpjekje për të shuar zjarrin që e kishte përfshirë. Në ndihmë i kanë ardhur kolegët e tij, të cilët kanë ndërhyrë me një fikëse zjarri.
Ngjarja tregon rrezikun e lartë me të cilin po përballen efektivët gjatë përplasjeve, ndërsa protestuesit kanë vijuar hedhjen e mjeteve piroteknike dhe molotovëve në drejtim të forcave të rendit.
Gurë ndaj Bashkisë, protestuesit hedhin gozhda në rrugë
Më herët, protestuesit kanë qëlluar me mjete të forta drejt godinës së Bashkisë së Tiranës, duke thyer xhamat e institucionit.
Ndërkohë, në rrugë janë hedhur gozhda dhe mjete të tjera metalike, të cilat mund të dëmtojnë gomat e automjeteve që kalojnë në zonë.
Protestuesit janë ndarë në dy grupe kryesore: një pjesë qëndron në sheshin “Skënderbej”, ndërsa të tjerë janë pozicionuar përgjatë bulevardit. Kjo situatë e ka bërë më të vështirë shpërndarjen e plotë të turmës nga policia.
Përdorimi i gazit lotsjellës ka vijuar sa herë që protestuesit janë përpjekur të riorganizohen dhe të lëvizin drejt Kryeministrisë. Nga ana tjetër, një pjesë e tyre kanë vijuar rezistencën, duke hedhur fishekzjarrë dhe mjete të tjera në drejtim të efektivëve.
Protestës së kësaj të shtune i është bashkuar edhe Partia Demokratike, çka ka sjellë një pjesëmarrje të konsiderueshme. Tubimi, i udhëhequr nga eksponentë të opozitës, është shoqëruar me incidente të përsëritura dhe ndërhyrje të forcave të rendit në disa pika të kryeqytetit.
Përplasjet vijojnë, ndërsa situata në terren mbetet e tensionuar.



