Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Behgjet Pacolli ka akuzuar Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) për ndërhyrje të paligjshme në strukturën e kuotave të shoqërisë Vlora International Airport (VIA), duke pretenduar se është kryer një regjistrim në kundërshtim me vendimet gjyqësore.
Në një deklaratë publike, Pacolli, në emër të MABCO Constructions SA, pretendon se QKB-ja ka regjistruar transferimin e kuotave, pavarësisht ekzistencës së një mase siguruese gjyqësore të ekzekutuar, një vendimi të përmbaruesit gjyqësor të regjistruar në QKB dhe një vendimi të Gjykatës së Lartë.
Sipas tij, ky veprim cenon pronën private dhe sigurinë juridike të investimeve, ndërsa ngre pikëpyetje mbi respektimin e vendimeve të gjykatave nga institucionet shtetërore.
Pacolli përmend si persona që dyshohet se kanë organizuar këto veprime Valon Ademin dhe Vegim Hoxhën, duke pretenduar gjithashtu se mund të ketë pasur përfshirje të përfaqësuesve të QKB-së. Ai kërkon që të hetohet nëse në këtë çështje kanë qenë të përfshira edhe institucione të tjera.
MABCO Constructions SA ka bërë të ditur se ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj personave që i konsideron përgjegjës për regjistrimin e pretenduar të paligjshëm. Sipas deklaratës, të hënën kompania do të ndërmarrë edhe hapa të tjerë ligjorë ndaj personave që dyshohet se e kanë kryer ose mundësuar këtë veprim.
Pacolli u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të hetojnë çështjen dhe të garantojnë zbatimin e ligjit dhe respektimin e pronës private.
Ai e cilëson këtë çështje më të gjerë se një konflikt mes kompanive, duke argumentuar se mënyra se si do të trajtohet ajo ndikon në besimin e investitorëve dhe në imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.



