Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Policia e Shtetit ka nisur hetimet për incidentet e regjistruara gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, ku mbetën të plagosur pesë punonjës policie dhe u dëmtua në sy 28-vjeçari Erjon Vishkulli.
Për rastin e të riut, i cili pësoi dëmtim në sy gjatë protestës, hetime kanë nisur Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria. Sipas njoftimit zyrtar, synimi është zbardhja e plotë e rrethanave të incidentit.
Ndërkohë, pas publikimit në media të pamjeve ku një efektiv dyshohet se ka tejkaluar kompetencat dhe nuk ka respektuar parimin e proporcionalitetit në përdorimin e forcës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar pezullimin nga detyra të inspektorit A. K., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Ndaj tij ka nisur edhe një hetim administrativ për të sqaruar veprimet e kryera gjatë protestës.
Sipas Policisë, gjatë përplasjeve që zgjatën deri në orët e mbrëmjes, efektivët u sulmuan me gurë, vida, sfera metalike, shkopinj, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla. Si pasojë, pesë punonjës policie mbetën të plagosur.
Në reagimin e saj, Policia e Shtetit shprehu keqardhje për të gjithë qytetarët, gazetarët dhe punonjësit e policisë të lënduar gjatë protestës, duke u uruar shërim të shpejtë.
Institucioni theksoi se çdo rast i dyshuar për tejkalim të detyrës do të hetohet me paanshmëri dhe profesionalizëm, ndërsa respektimi i ligjit dhe proporcionaliteti në përdorimin e forcës janë parime të panegociueshme për punonjësit e policisë.



