Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Policia ka arrestuar 23 persona pas protestës së dhunshme të zhvilluar të shtunën në Tiranë, ndërsa 30 të tjerë janë shpallur në kërkim dhe 13 persona po procedohen penalisht.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, të arrestuarit janë të moshave nga 18 deri në 54 vjeç. Mes tyre janë Jul Budi, Lorenc Bezati, Dritan Zhilla, Xhuljano Minga, Mariglen Selimi, Klesti Fetiu, Valentini Lamce, Erti Zhilla, Xhulio Meçani, Arbër Elezi, Rexhep Kuçaj, Elsard Nxheç, Mario Shitka, Redon Hoxha, Brahim Omenaj, Eugen Neziri, Leon Neziri, Omer Ademi, Jurgen Ziaj, Rezart Vozga, Vesjon Arifi, Enrik Xhemalaj dhe Ramazan Dauti.
Sipas autoriteteve, gjatë protestës, e cila u zhvillua në zona të ndryshme të kryeqytetit, punonjësit e policisë u sulmuan me gurë, vida, sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike dhe bomba Molotov. Në sulme u përdorën edhe bombola gazi të lidhura me kapsolla.
Si pasojë e incidenteve, disa punonjës policie mbetën të plagosur dhe morën ndihmë mjekësore.
Në vijim të hetimeve, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, policia ka identifikuar dhe ndaluar 23 persona, ndërsa për 30 të tjerë vijon puna për kapjen e tyre. Për 13 persona të tjerë janë kryer procedime penale.
Hetimet synojnë dokumentimin e plotë të ngjarjeve, identifikimin e personave të tjerë të dyshuar dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore për kundërshtimin dhe goditjen e punonjësve të policisë, si dhe dëmtimin e godinave të institucioneve shtetërore.



