KreuDrejtësiaBllokohen pagat, bllokohen shërbimet/ Administrata gjyqësore nis bojkotin

Bllokohen pagat, bllokohen shërbimet/ Administrata gjyqësore nis bojkotin

Ngërçi i krijuar prej javësh për pagat në sistemin e drejtësisë ka hyrë në një fazë të re, teksa administrata gjyqësore ka nisur bojkotin e shërbimeve.

Punonjësit dhe sekretarët e Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës kanë ndërprerë shërbimet, duke kërkuar sqarime lidhur me pagat e muajit gusht dhe mënyrën se si do të zgjidhet situata e krijuar.

Administrata e Gjykatës ka vënë në dijeni kryetarin e institucionit për bojkotin. Punonjësve u është komunikuar se një qëndrim pritet pas mbledhjes së kryetarëve të të gjitha gjykatave, e cila është parashikuar të zhvillohet në orën 15:00 në Gjykatën e Lartë.

Bojkotit i është bashkuar edhe administrata e Gjykatës së Apelit. Sipas informacionit të bërë publik, në Apel do të vijojnë të zhvillohen vetëm seancat për masat e sigurisë, ndërsa shërbimet e tjera do të jenë të pezulluara.

Situata ka krijuar shqetësim jo vetëm te gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe te punonjësit administrativë të sistemit të drejtësisë, të cilët janë prekur nga moskalimi i pagave të muajit gusht.

Ngërçi nisi me formulën e re të pagave

Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re të pagave, çka solli përplasje institucionale për mënyrën se si duhej zbatuar vendimi i Kushtetueses.

Pas skadimit të afatit, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë argumentuan se duhej të zbatonin vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë. Kësaj shume i shtohet edhe shtesa prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.

Por listëpagesat e përllogaritura mbi bazën e rritjes nuk u ekzekutuan nga Ministria e Financave.

Ministria ka argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit dhe ka kërkuar që listëpagesat të ridërgohen sipas metodologjisë së mëparshme.

Përplasja mbi mënyrën e zbatimit të vendimit ka sjellë si pasojë bllokimin e pagave të muajit gusht për një pjesë të konsiderueshme të sistemit të drejtësisë.

Në lëvizje edhe prokuroritë

Për situatën janë vënë në lëvizje edhe drejtuesit e prokurorive.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka thirrur në takim drejtuesit e prokurorive të rretheve, Shoqatën e Prokurorëve të Shqipërisë, si dhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Takimi pritet të fokusohet te situata e krijuar nga bllokimi i pagave dhe hapat që mund të ndërmerren për zgjidhjen e ngërçit.

Në këtë mënyrë, çështja e pagave nuk mbetet më vetëm një përplasje mes institucioneve për interpretimin dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por ka nisur të prekë drejtpërdrejt funksionimin e administratës gjyqësore dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Rama: “Dera e Thesarit nuk hapet me forcë”

Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama iu referua situatës duke deklaruar se “dera e Thesarit të Shtetit”, ku kanë mbetur të bllokuara pagat e institucioneve të drejtësisë, nuk mund të hapet me forcë.

Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka deklaruar se ngërçi pritet të zgjidhet në Kuvend me nisjen e sesionit të ri parlamentar.

Deri në një zgjidhje institucionale, situata mbetet e bllokuar, ndërsa bojkoti i administratës gjyqësore shënon një zhvillim të ri në përplasjen për pagat në sistemin e drejtësisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat