back to top
7.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuAktualitetAnketa: 36% e të rinjve duan të emigrojnë, 11% e tyre ikin...

Anketa: 36% e të rinjve duan të emigrojnë, 11% e tyre ikin për 6 muaj

Një sondazh me 680 të rinj të moshës 14 -29 vjeç në Shqipëri gjatë periudhës shkurt- mars 2024, i cili u udhëhoq nga “Friedrich-Ebert-Stiftung” evidentoi se, të rinjtë shqiptarë janë ende të pushtuar nga një “nxitim emigrimi”, duke e konsideruar atë si opsionin e vetëm kur bëhet fjalë për hyrjen tregun global të punës. Emigrimi shihet si një mundësi për të rinjtë.

Rezultatet e anketës treguan se më shumë se 40% e të rinjve që nuk kanë qenë ende jashtë vendit duan të largohen në të ardhmen, veçanërisht gratë e reja.

Më shumë se një e treta e të rinjve (36%) ushqejnë një dëshirë të fortë për të lënë vendin. Midis tyre, 11% do të largohen brenda 6 muajve të ardhshëm.

Faktori kryesor që shtyjnë të rinjtë të largohen janë standardet më të larta të jetesës dhe kushte më të mira për punë.

Më shumë se 28% e atyre që duan të largohen nuk mendojnë të rikthehen sërish në Shqipëri.

Studimi theksoi se arsimi konsiderohet si një nga çështjet më të rëndësishme për rininë shqiptare. Në kushtet e një ekonomie tregu globale ku mbizotërojnë aftësitë e shumëfishta dhe tregu fleksibël i punës po bëhet realitet, arsimi po kthehet në një mjet shumë të vlefshëm.

Ai po merr një rëndësi të madhe, veçanërisht në ditët e sotme, kur të rinjtë po përballen me sfidat e Revolucionit të Katërt Industrial ose të së ashtuquajturës Ekonomia 4.0, e drejtuar nga novacioni i teknologjisë së informacionit dhe ndikimi i paparashikueshëm i Inteligjencës Artificiale në shumë profesione.

Shumica e të rinjve shqiptarë ende vazhdojnë të shohin arsimimin jashtë vendit si mundësinë më të mirë, dhe kjo kërkon hapa të shpejtë për masa konkrete në lidhje me cilësinë e arsimit brenda vendit.

Studimi më vë në dukje se shoqëria shqiptare është polarizuar dukshëm nga pikëpamja e pasurisë për shkak të një periudhe të ashpër tranzicioni, me një kapitalizëm kaotik pa rregulla të qarta dhe pa konkurrencë tregu.

Në këtë mënyrë, statusi social i të rinjve duket se vendoset kryesisht në bazë të fuqisë së parave dhe jo të punës e kontributit të vërtetë vetjak për të mirën e përbashkët.

Të dhënat nxjerrin në pah faktin se të rinjtë përballen me fenomene të dhunës dhe të kriminalitetit, që shpesh ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës së tyre dhe në besimin që kanë tek institucionet, veçanërisht ato të drejtësisë.

Pavarësisht se ata besojnë te forca e tyre si një instrument ndryshimi brenda shoqërisë, kjo mbetet më shumë një vetë-ndërgjegjësim sesa një bindje e shfaqur përmes veprimeve./Monitor

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat