Keti Banushi
SPAK ka dërguar në laborator për ekspertim kasetën e dorëzuar pak javë më parë, e cila sipas familjareve të Aleks Nikës, njëri nga katër të vrarët në bulevard, tregon se vrasjet janë krim shtetëror dhe janë kryer me urdhër. Mësohet se audio regjistrimi është bërë nga një person që ka pasur akses në komunikimin e një kanali të konsideruar të sigurt që përdorej nga drejtues të lartë të Gardës,i cili ka regjistruar komandat dhe urdhrat e dhëna. Regjistrimi është bërë me një diktofon ndërsa kaseta e dorëzuar në SPAK është origjinalja.
Menjëherë pas dorëzimit të saj, ajo është duke u ekspertuar fillimisht në laboratorin e SPAK, i cili do të përcaktojë edhe autenticitetin e saj, dhe më pas do të bëhet krahasimi i zërave që janë në audio për të përcaktuar edhe shkencërisht, personat të cilat ato i përkasin. Nëse kjo nuk mund të kryhet nga SPAK, do të kërkohet edhe ndihma e laboratorëve të tjerë të fuqishëm jashtë vendit.
Kaseta nuk u dorëzua në Prokurorinë e Tiranës, megjithëse u kërkua nga prokurorët e çështjes, pasi familjarët e Aleks Nikës u shprehen se kjo prokurori nuk kishte burimet e mundshme njerëzore dhe logjistike, për ta bërë një gjë të tillë dhe dorëzimi, i saj u bë vetëm Prokurorinë e Posaçme, kur kjo e fundit mori në kompetencë dosjen pas një vendimi të Gjykatës së Lartë.
Regjistrimi I komunikimeve konsiderohet një prove e re për procesin, ndërsa ende nuk është mësuar se kush ka qenë personi që ka regjistruar urdhrat në këtë kanal sekret, që përdorej nga një rreth i ngushtë personash.
Mësohet se regjistrimi është 34 minuta, ndërsa në 7 sekonda jepet urdhri për të qëlluar.
Pak ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme, u pyet ish drejtori i Përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj dhe një ditë me pas dëshmoi edhe zëvendësi i tij Agron Kuliçaj. Të dy kanë dhënë sqarime në lidhje me urdhrat dhe veprimet e policisë, në 21 janar por edhe me mosekzekutimin për 18 ditë të urdhër arresteve të prokurorisë, për zinxhirin komandues të gardës. Në listën e personave që pritet të dëshmojnë në strukturën e posaçme për 21 janarin përfshihen edhe drejtuesit me të lartë të shtetit si ish presidenti Bamir Topi si dhe ish prokurorja e përgjithshme Ina Rama./ Shqiptarja.com