Qeveria pritet të miratojë brenda këtij muaji ligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet, një nismë që ka kaluar tashmë fazën e konsultimeve publike dhe pritet të kalojë në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave. Drafti është hartuar nga Ministria e Financave, ndërsa elementi i vetëm i pandezë zyrtarisht mbetet tarifa vjetore që do të paguajnë qytetarët.
Edhe pse shuma nuk është bërë ende publike, qeveria ka deklaruar se tarifa do të jetë e përballueshme për çdo familje, teksa pagesa do të jetë e detyrueshme për të gjithë pronarët e banesave. Në skemë përfshihen gjithashtu subjektet me banesa sociale me qira, banesat që janë në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat duhet të mbulojnë primin e sigurimit nga buxheti i tyre.
Ndërkaq, buxheti i shtetit do të marrë përsipër të paguajë primin e sigurimit për shtresat në nevojë.
Çfarë mbulon sigurimi i detyrueshëm?
Kontrata e sigurimit do të mbulojë vetëm dëmet e shkaktuara nga tërmetet, përgjatë gjithë periudhës së vlefshmërisë së policës. Dëmi do të rimbursohet sipas vlerës së pronës së siguruar dhe ekspertizës së dëmtimeve.
Nisma vjen pas tërmetit shkatërrues të vitit 2019, pas të cilit qeveria vendosi të mos mbështetet më tek fondet buxhetore apo donacionet, por të ndërtojë një skemë mbrojtjeje financiare afatgjatë për banesat, duke e bërë sigurimin të detyrueshëm.
Debatet dhe pikëpyetjet
Skema e re po shoqërohet me diskutime, pasi ende nuk dihet nëse tarifa do të jetë unike nga veriu në jug, apo do të ndryshojë sipas riskut sizmik të zonave.
Po ashtu, kritikët ngrenë pyetjen pse sigurimi i detyrueshëm përfshin vetëm tërmetet, ndërsa fenomenet natyrore të shpeshta në vend, si përmbytjet dhe zjarret, nuk janë pjesë e mbulimit.



