Bashkimi Evropian ka publikuar raportin e progresit për Shqipërinë për vitin 2025, duke vlerësuar hapat e ndërmarra nga vendi në procesin e negociatave dhe duke theksuar sfidat që ende pengojnë integrimin. Sipas BE-së, Shqipëria ka ruajtur një angazhim të fortë politik ndaj objektivit strategjik të integrimit, si dhe një përafrim të plotë me politikën e jashtme dhe sigurinë të Unionit, duke u pozicionuar si partner i besueshëm.
Raporti vlerëson zgjedhjet e 11 majit si konkurrese dhe të organizuara profesionalisht, por evidenton mangësi të qarta, përfshirë mungesën e një fushë loje të barabartë dhe abuzimin me burimet publike. BE nënvizon nevojën për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, që adreson rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venedikut, të cilat nuk u zbatuan plotësisht nga reforma e pjesshme e kodit zgjedhor.
Raporti thekson se polarizimi politik dhe mungesa e dialogut të sinqertë politik pengojnë punën e Parlamentit, ndërkohë që proceset e konsultimit publik mbeten të kufizuara. Parlamentit i mungon mbikëqyrja efektive e ekzekutivit, dhe politizimi i emërimeve në institucionet kushtetuese dhe organet e pavarura vazhdon të jetë problem serioz. Gjithashtu, BE thekson shqetësimet mbi punën, metodologjinë dhe ndikimin e komisionit parlamentar ad hoc për thellimin e reformave në qeverisje të mirë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Pas zgjedhjeve të 11 majit, numri i komisioneve të përhershme u rrit nga tetë në njëmbëdhjetë, nga të cilat katër kryesohen nga opozita, një hap pozitiv, por që nuk shmang nevojën për reforma të mëtejshme dhe përmirësim të funksionimit institucional.
BE gjithashtu nënvizon se reforma e administratës publike ka bërë disa përparime, përfshirë miratimin e Strategjisë kundër Korrupsionit dhe Reformës së Administratës Publike 2025-2030, por mbeten sfida serioze, duke përfshirë praktikën e rishikimeve buxhetore përmes akteve normative nga ekzekutivi.
Raporti i BE-së përmend gjithashtu se sistemi gjyqësor ka shënuar përparime mesatare deri në të mira, përfshirë finalizimin e procesit të vetingut në shkallë të parë dhe procedurat e apelimit në rrugë të mbarë. Megjithatë, shqetësimi mbi ndërhyrjet dhe presionet politike ndaj sistemit të drejtësisë vazhdon, ndërsa mungesa e magjistratëve dhe vonesa në zbatimin e sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve mbeten probleme që do të ndikojnë deri në 2030.
Në luftën kundër korrupsionit, BE vlerëson rolin e SPAK, duke theksuar rezultatet pozitive dhe ndjekjen e korrupsionit në nivele të larta, përfshirë zyrtarë dhe politikanë të rëndësishëm. Megjithatë, korrupsioni mbetet i përhapur në sektorë të ndjeshëm, dhe kontrolli mbi deklarimet e pasurisë të personave politikisht të ekspozuar kërkon më shumë transparencë dhe efektivitet.



