Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar emërimin e Genti Shalës në postin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Vendimi është firmosur më 11 dhjetor 2025 dhe ka hyrë në fuqi menjëherë, sipas njoftimit zyrtar të Presidencës.
Emërimi i Shalës bazohet në nenet 93 dhe 136 të Kushtetutës, si dhe në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vendimi i Presidentit vjen pas propozimit të bërë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor më 4 dhjetor, i cili e përzgjodhi Shalën për vendin vakant në fushën e së drejtës penale, të shpallur prej vitit 2022.
“Zoti Genti Shala emërohet Gjyqtar i Gjykatës së Lartë nga radhët e gjyqtarëve. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës.



