Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë takimit me aleatët e federatës së opozitës së bashkuar, deklaroi se Shqipëria ndodhet në një autokraci elektorale, e ngjashme me regjimin e Maduros në Venezuelë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për lidhje me kartelet e drogës dhe përdorimin e tyre për të diktuar proceset zgjedhore dhe vendimmarrjen shtetërore.
Berisha u ndal gjerësisht te raporti i OSBE/ODIHR, duke theksuar se ai e cilëson Shqipërinë si vend me zgjedhje të kontrolluara nga “partia-shtet” dhe se qeveria ka tentuar të ushtrojë presion mbi vëzhguesit ndërkombëtarë. Ai solli shembuj të presioneve ndaj votuesve, blerjes së votës dhe përdorimit të burimeve publike gjatë fushatës, duke theksuar se rezultati i zgjedhjeve nuk u ndikua nga ligji, por nga droga, krimi dhe frikësimi i qytetarëve.
Në lidhje me reformën zgjedhore, lideri demokrat, Sali Berisha tha se opozita është e bashkuar për të zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe se PD është e gatshme të pranojë çdo sistem zgjedhor që përcaktohet me konsensus të gjerë brenda opozitës. Berisha shtoi se me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka.
Përsa i përket reformës territoriale, ai e quajti atë të vitit 2015 një “antireformë”, duke theksuar shpërndarjen disproporcionale të bashkive dhe mungesën e shërbimeve në zonat rurale. Berisha u shpreh se opozita do të propozojë një rikonceptim të hartës territoriale që synon rritjen e shërbimeve, përfaqësimit vendor dhe ripopullimin e zonave të braktisura.
Kryetari i PD, Sali Berisha e mbylli fjalën duke deklaruar se opozita do të veprojë me seriozitet për të hartuar propozimet e saj për të dy reformat, duke falënderuar institucionet ndërkombëtare për qëndrimet e tyre ndaj procesit zgjedhor në Shqipëri.
FJALA E PLOTË
Mirëdita dhe u përshëndes përzemërsisht secilin prej jush, përfaqësues të forcave politike opozitare në parlament dhe jashtë parlamentit.
Ky takim ka qëllim kryesor të gjejmë një ujdi së bashku si një front i gjerë për reformën zgjedhore dhe reformën territoriale.
Në fakt, reforma themelore të një sistemi, duhet pranuar.
Sot, Shqipëria është një njollë e zezë në hartën e Europës.
Është zyrtarisht, pas raportit të fundit të OSBE/ODIHR, autokraci elektorale apo diktaturë autoritare.
Do të thotë regjim që e pranon pluralizmin, por e shtyp pluralizmin.
Ky është i gjithë thelbi i saj.
Nuk është totalitare sepse e pranon pluralizmin.
Por njëlloj si në totalitaren, pushtetet të gjitha përqendrohen në një dorë.
Në dallim nga autokracitë e tjera elektorale apo diktaturat autoritare, kjo e Shqipërisë është siameze me diktaturën e Maduros së Venezuelës.
Pse kjo?
Kjo sepse të dyja kanë një mbështetje të jashtëzakonshme në fuqinë e jashtëzakonshme të drogës.
Dhe kjo fuqi e jashtëzakonshme e drogës, në rrafshin ekonomik, është më e fuqishme se çdo parti.
Kjo fuqi e jashtëzakonshme e drogës shprehet me fshirjen e ligjeve, rregullave dhe zëvendësimin e tyre me standardet e mafies dhe karteleve të drogës.
Kjo fuqi e jashtëzakonshme e drogës në regjimin e Edi Ramës luan një rol përcaktues edhe në rezultatin e zgjedhjeve, në vendimet e gjykatave, në vendimet e ekzekutivit.
De facto, droga dhe kartelet janë vendimmarrësit kryesorë të vendit.
Kartelet shqiptare janë bërë sot të fuqishme, përcaktojnë rezultate elektorale edhe në Amerikën Latine.
Këto kartele nga Shqipëria janë eksportuesi kryesor i kanabisit në Europë, Shqipëria është eksportuesi numër një, por tani këto kanë kapur në dorë kokainën në Amerikën Latine dhe janë përcaktuesit e tregut në Amerikën Latine.
Këto kartele, siç shprehej dje pasdite, në mënyrë të qartë dhe të kristaltë, një nga gazetat më prestigjioze të Uashingtonit, ‘Ëashington Examiner’, nga këto kartele thotë gazeta, sipas burimeve të disa shërbimeve, përfitues është vetë Edi Rama.
Është Ramaduro.
Duke ardhur këtu tek ju, prita kryetarin e një dege të PD.
Çfarë më tregoi?
Një familje tre vetësh, mbështetës tradicionalë të opozitës, dy ditë pas zgjedhjeve më erdhi kryefamiljari, më tha: unë po të rrëfej një gjë. Natën e zgjedhjeve, trokiti në derë një person. Më la një zarf dhe iku. Në zarf shkruhej ‘mos shko nesër në zgjedhje’ dhe ishin 1 mijë euro.
Gjithë natën u rropata të shkoj apo të mos shkoj. Pse të mos shkoj, po nga ana tjetër, edhe kërcënimi ishte brenda sepse lekët m’i dha dhe shkuarja mendoja se çfarë pasojash mund të ketë.
Si përfundim nuk shkova. Ky njeri i ndershëm, të themi atë që është.
Dhe ky është efekti ndër më minimalët se efektet e tjera janë edhe më mizore.
Se kërcënimet e tjera janë më mizore.
Dhe Edi Rama përfitues kryesor i karteleve famëzeza shqiptare të drogës, për të fituar mandatin e katërt, ndërmori të njëjtat masa, madje në disa aspekte edhe më të egra se Maduro i Venezuelës.
Arrestoi në vit elektoral liderët e opozitës, të partive kryesore opozitare dhe i vuri në ndjekje penale.
Me paratë e veta apo të drogës, organizoi 4553 aktivitete në 4 muajt e ndaluar me ligj për aktivitetet, që të mos ndikohet tek votuesit.
Dhuroi çdo pensionisti 100 euro.
Fali gjoba dhe kamata për 10 vite.
A e morët vesh miq sa ishin ato?
Gjatë gjithë kësaj kohe them se janë 200 milionë, por tani që janë bërë llogaritë, kanë rezultuar 8 herë më shumë, kanë rezultuar 1 miliard e 700 milionë euro, nga të cilat vetëm ato të biznesit kanë përfituar 210 mijë familje.
Dhe këtë e shpalli dy ditë para zgjedhjeve, ndërsa në ato 4500 aktivitete, ditën e zgjedhjeve dha 7 milionë euro për Giro D’Italia për të mriësuar fytyrën e urryer të narkodiktatorit.
Për t’i bërë makijazh.
Shndërroi administratën në polici politike të votës.
Shpërndau licenca droge, legalizime, leje, që të gjitha.
Pse po ndalem në këtë moment?
Po ndalem në këtë moment sepse unë e kuptoj se shumë nga ju këtu, por edhe ata që na shohin, duke ditur të gjitha këto, mund të shtrojnë pyetjen, po këta pse mblidhen për reformën zgjedhore.
Sepse njerëzit e kanë të qartë se zgjedhjet nuk i fitoi nga ligji Edi Rama.
Zgjedhjet Edi Rama i fitoi nga droga, nga kartelet e drogës dhe krimit, i përdori duke përdorur të gjitha resurset e shtetit njëlloj si në partinë shtet.
I fitoi duke frikësuar dhe trembur zgjedhësit.
Ju keni dëgjuar se ky raporti i OSBE/ODIHR, i cili në fakt i shpall zgjedhjet si zgjedhje të partisë shtet, dhe ka një vërtetësi të padiskutueshme, për të ndryshuar këtë raport u bënë përpjekjet më të jashtëzakonshme.
Edi Rama thirri në zyrë dhe kërcënoi si bandit diplomatin që kryesonte ekipin e vëzhguesve.
Igli Hasani thirri në zyrë kreun tjetër të vëzhguesit bashkë me vëzhguesit dhe u tha, ku i keni këto të dhëna, ku i argumentoni këto, ku i bazoni këto që keni shkruar.
Po ju njoh me këto se gjer në ç’shkallë këta narkoqeveritarë janë të gatshëm të kërcënojnë edhe faktorin ndërkombëtar.
Natyrisht kërcënimet e tyre, me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme që bënë, u shumëzuan me zero.
Ai zotëri nderoi institucionin që përfaqësonte, nderoi veten e tij, një zyrtar i ndërgjegjshëm dhe i dobishëm me të gjitha funksionet që ka kryer, raporti doli ky që është, të cilin përsëri propaganda përpiqet ta sfumojë. Përpiqet ta injorojë.
Por ai është i pamohueshëm.
Duke thënë këto, atëherë pse jemi mbledhur ne?
Ne nuk jemi mbledhur se rezultatin e zgjedhjeve e diktoi kodin elektoral.
Rezultatin e diktoi droga, krimi, e diktoi partia shtet.
Por përsëri, këto institucione, të cilat janë institucionet e besimit të mirë në vëzhgimin e zgjedhjeve, në të gjitha vëzhgimet nga viti 2019 gjer sot, kanë dhënë një seri rekomandimesh për përmirësimin e kuadrit ligjor të zgjedhjeve.
Atëherë ne jemi këtu pikërisht për ato rekomandime, për t’u qëndruar luajalë, sepse ata qëndruan të vërtetë, nuk u ndikuan, u thanë shqiptarëve të vërtetën.
Ne i konsiderojmë rekomandimet e tyre të dobishme për procesin zgjedhor.
Më konkretisht, nga viti 1991 gjer sot, Shqipëria ka pasur sisteme të ndryshme për zgjedhjen e deputetëve nga mazhoritar tek proporcional dhe pseudomazhoritar. Së fundmi rajonal.
Natyrisht nuk mund të them se PD nuk ka pasur rolin kryesor në këto përcaktime së bashku me PS që kanë qenë dy forcat politike kryesore.
Por në këtë situatë, unë dua t’u garantoj për vullnetin e plotë të PD, të përcaktojmë së bashku atë sistem që ne si forca politike opozitare e konsiderojmë më të dobishmin.
Pra, pa asnjë lloj pretendimi që ne do të qëndrojmë në përzgjedhjen tonë pa mirëkuptimin dhe ujdinë me ju.
Le të bëjmë ne këtu një përzgjedhje të përbashkët.
Ne kemi përfaqësuesit tanë në komisionin e reformës elektorale, të cilët do jenë avoketërit e propozimeve tona, të ujdisura, të rëna dakord që ne mendojmë se është sistemi më i përshtatshëm për zgjedhjet në Shqipëri.
Duke mos harruar kurrë një gjë, se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka.
Të gjitha ata që mendojnë ndryshe, ose kanë mungesë të kulturës elektorale ligjore, se nuk është mëkat të mos e kesh, ose pastaj janë me dashje ose pa dashje avoketër të një farsë që realizon Edi Rama.
Ju i dëgjoni sot se si akuzojnë popullin, si akuzojnë partitë. Nuk e ka fajin Edi Rama dhe regjimi, po e ka fajin opozita që nuk i frymëzon njerëzit si në Rumani dhe në Bullgari.
Më duhet t’u them këtyre altoparlantëve të Edi Ramës, ose kriptoramistëve, se Rumania dhe Bullgaria janë vende të lira, se në Rumani dhe Bullgari nuk humbasin vendet e punës njerëzit nëse kanë bindje të ndryshme.
Se Rumania dhe Bullgaria ka pasur raste që në një vit kanë zhvilluar dy ose tre palë zgjedhje dhe kanë ndryshuar qeverinë.
Kurse ky pasardhësi i Kristaq Ramës nuk e lëshon pushtetin.
Shikoni se çfarë bën. Është kapur në flagrancë hajdut me tunelin e Llogarasë, ka marrë zëvendëskryeministren në Ankara, kanë bërë pazarin me 50 milionë euro si fillim dhe tani mashtron siç është paturpësisht se nuk ka ndodhur në botë të pezullohet ministri.
Hajduti pezullohet dhe arrestohet kudo në botë.
Hajduti i certifikuar pezullohet dhe arrestohet, burgoset kudo në botë.
Qoftë ai ministër, qoftë kryeministër, qoftë president.
Kjo është e vërteta dhe ky do të na mbushë mendjen ne se cenohet Kushtetuta.
Njeriu që u garantoj unë ju, se ato 50 milionë, janë ndoshta një e 50-ta e atyre që ka vjedhur ajo. Dhe që i ka shpërdoruar me Edi Ramën të gjitha.
Se ajo ka qenë këmisha e Edi Ramës në kuptimin figurativ.
Se ai ua thoshte vetë atyre të tjerëve se vetëm kjo më kryen punë mua. Se kjo ia zbatonte të gjitha.
Dhe tani ushtron terror mbi Gjykatën Kushtetuese që ta mbrojë me çdo kusht.
Natyrisht populli do i përgjigjet këtij qëndrimi.
Por e bëra këtë hyrje për të kuptuar pse jemi ne këtu.
Dhe i garantoj qytetarët se ne me seriozitetin më të madh do punojmë mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Ne kemi një mirënjohje të thellë ndaj tyre për raportin që bënë dhe qëndrimin e tyre të palëkundur në mbrojtje të të vërtetave që konstatuan në këto zgjedhje.
Po kjo është edhe për reformën territoriale.
Ky bëri një antireformë territoriale.
Qarku i Tiranës me mbi 1 milion banorë ka 4 bashki, qarku i Gjirokastrës me 120 mijë banorë, ka 7 bashki.
Kuptojeni vetë.
Pretendoi se me këtë reformë do të lehtësohej barra mbi qytetarët në rroga, është dyfishuar numri i parazitëve mbi qytetarët.
Por tashmë nuk janë të zgjedhur, janë të emëruar.
Shqipëria në raport me popullatën natyrisht duhet të ketë një numër jo shumë të madh të bashkive dhe komunave, por në raport me terrenin, nëse i qëndrojmë parimit që qytetarët duhet të kenë shërbime, duhet të kenë njerëzit e zgjedhur, duhet të kenë drejtimin, Shqipëria është tjetër.
E ka lënë të pavdekshme një kinez në vitet ’70. Udhëtoi nga Tirana në Fierzë, dhe u tha kolegëve të tij inxhinierë: pse thonë që Shqipëria është e vogël sepse vetëm Puka qenka sa Shqipëria. Sepse rruga ishte e gjatë.
Sot infrastruktura ka ndryshuar, por prapë kemi zona të largëta, kemi zona pothuajse pa infrastrukturë, që kur u bë reforma, ora për Shqipërinë rurale ndaloi.
Edhe një ligj që miratuam në vitin 2012 për të hequr 8 vite taksat për ata që investojnë në ato zona malore, e anuloi të parin.
Ka ndaluar ora atje.
Dhe tani do të shpërblejë kartelet me troje në male.
Ndaj edhe në këtë reformë ne do japim mendimet tona, kontributin tonë duke pasur parasysh, ne nuk i qëndrojmë skemës së mëparshme, nuk themi se do jenë 400 e ca bashki e komuna se disa prej tyre kanë ngelur stane bagëtish se njerëzit kanë ikur, por prapë se prapë aty ku ka mundësi dhe komunitete, ne do u qëndrojmë.
Ne do synojmë ripopullimin e Shqipërisë.
Dhe kjo reformë duhet të jetë edhe në funksion të këtij parimi.
Fjala përmbyllëse:
Tani, një sqarim dua të bëj.
Këtu jemi mbledhur për të përcaktuar cili është sistemi më i përshtatshëm.
Kjo tryezë do funksionojë, do mblidhet përsëri.
Ndërkohë unë kërkoj nga ju, me specialistët që keni, të paraqisni të gjitha propozimet pranë komisionit të reformës zgjedhore.
Tani ju e shtruat me të drejtë që ka specialistë, ka edhe të tjerë përveç Oerdit.
Po, por të garantoj që Oerdi, në dijeninë time, një tjetër që të jetë marrë me të drejtën elektorale, që të kuptohemi, e drejta elektorale, siç është e drejta penale, e drejta tregtare, është e drejta elektorale.
Përcaktimet kanë qenë politike ose të imponuara dhe asnjë prej tyre individuale.
Asnjë prej tyre individuale!
Natyrisht kjo nuk është se Oerdi nuk është në një presion nga të gjitha këto sepse ka qenë përfaqësuesi ynë.
Çfarë po bëjmë ne tani?
Ne do bëjmë çdo hap me transparencë të plotë.
Oerdi, dhe jo vetëm Oerdi, aty janë disa përfaqësues, çdo hap do ta kenë transparent përpara qytetarëve dhe do vendosim.
Tani një gjë.
Erdhën zgjedhjet e 11 majit.
Asnjë kusht për t’u futur në ato zgjedhje nuk kishte.
Se në qoftë se unë them që me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, unë atë deklaratë e kam të vërtetuar dhe ia vërtetoj kujtdo.
Por midis bojkotit dhe vazhdimit të betejës, ne zgjodhëm vazhdimin e betejës, ndonëse të bindur se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.
Dhe këtë duhet ta ngulitim ne tek çdo opozitar.
Dhe pastaj a do pranojmë të ulim kokën apo do të pranojmë të ngremë kokën dhe të mbrojmë…
Shikoni në ç’situatë jemi ne.
Edi Rama bën gjithçka për të shtypur votën, Altin Troplini e mbron atë në mënyrën më kriminale.
Ju lutem, shqiptarët duhet ta kuptojnë, dosja 184 dhe dosja 339 u bënë famëzeza në mbarë botën se u botuan në mediat e mëdha gjermane dhe pastaj në mediat e tjera.
Nuk mund të kishte prokuror në një vend të lirë që të mos vepronte pasi ato ishin regjistruar në përputhje me procedurën e Kodit Penal, përveç Troplinit, Pojës së Skapit dhe atij xhelatit të Sigurimit të Shtetit, Arben Krajës.
Kur dëgjoj opozitarë që bërtasin ‘rroftë Skapi’, gjëja e parë që më shkon ndërmend se këta janë fantazmagorikë, nuk dinë ç’do të thotë pluralizëm.
Më thuaj ti mua çfarë garancie ka një forcë politike që ai bën një listë krimesh dhe ai ia amniston?
A nuk është një licencë për Edi Ramën dhe kriminelët elektorale për t’i vazhduar edhe më shumë dhe i vazhduan edhe më shumë.
E theksova këtë për të parë se sa jetike është guximi dhe qëndresa jonë.
Ne do bëjmë gjithçka në përpjekje të ndershme për një ligj sa më të drejtë elektorale.
Por ne me këto në mënyrë absolute do mashtrojmë veten në qoftë se pranojmë Edi Ramën.
Sa ta pranojmë atë, votë nuk do kemi.
Ka marrë fund vota.
Në një anë e vjedh, në anën tjetër e mbron ai.
Ku është Elvis Doçi sot? Dhëndri i Troplinëve, që është kryesor në klan, dhe ka transportuar tonelata drogë drejt Italisë. I kapur.
I erdhi mandat arresti nga Antimafia Italiane, e mbajti në xhep gjersa vodhi zgjedhjet ai.
Ushtroi terror mbi zgjedhësit dhe çau ferrën dhe iku.
Ai në Shkozet është aty, po nuk shkojnë për ta kapur se është i tyri. Atë çdo natë e takon Ergys Agasi, ky shefi i mafies në kryeministri.
Prandaj miq, të bëjmë gjithçka për të përmirësuar, po të mos harrojmë se detyrën e kemi shumë të madhe.
Ne do të rrëzojmë këtë mur krimi që na ka dalë përpara.



