back to top
2.5 C
Tirana
E premte, 21 Mars, 2025
spot_img
KreuAktualitetBerisha ironizon dyshen Rama-Basha/ Flet edhe për mesazhet nga PPE

Berisha ironizon dyshen Rama-Basha/ Flet edhe për mesazhet nga PPE

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën për mediat, dha një pasqyrë të aktiviteteve të fundit të Partisë Demokratike në nivel ndërkombëtar. Ai theksoi pjesëmarrjen aktive të PD në konferencën rajonale të Partisë Popullore Europiane (PPE), e mbajtur në Podgoricë, ku u diskutua për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Berisha denoncoi regjimin aktual në Shqipëri, duke e quajtur atë një narkodiktaturë dhe duke e akuzuar qeverinë për shndërrimin e zgjedhjeve në farsë. Ai theksoi se PPE ishte informuar për situatën e Shqipërisë dhe rrezikun që ky regjim përbën për rajonin dhe Europën. Lideri demokrat bëri të ditur se kishte zhvilluar bisedime me drejtues të PPE dhe përfaqësues të partive të tjera, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që ka marrë PD. Ai nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve të forcës së tij politike me PPE dhe partitë simotra. Berisha garantoi shqiptarët për përpjekjet e mëtejshme për të sjellë përpara përgjegjësisë ata që transformuan Shqipërinë në një ‘narkoshtet’.

Lideri demokrat, Sali Berisha tha në konferencën me gazetarët se situata ekonomike dhe sociale në Shqipëri ka qenë prej kohësh një shqetësim i madh për qytetarët, të cilët përballen me sfida të shumta, nga pagat e ulëta deri te kostoja e lartë e jetesës. Ndërsa sipas Berishës, premtimi për rikthimin e parave te shqiptarët dhe përmirësimin e kushteve të tyre jetësore është kthyer në një mesazh që po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha nuk nguroi të komentojë dhe pritjen entuziaste në Shkodër, ku sipas tij, u prezantua një platformë e cila synon rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e taksave dhe çmimeve të energjisë dhe karburantit, si dhe një menaxhim më të drejtë të fondeve publike.

Në konferencën me gazetarët, Berisha, theksoi angazhimet e tij dhe të partisë për të adresuar disa prej çështjeve më të rëndësishme për Shqipërinë. Ai u shpreh se, si një lider i njohur për përmbushjen e premtimeve, ka dhënë tre angazhime kyçe për të ardhmen e vendit. Ai garantoi një qëndrim të ashpër ndaj krimit të organizuar dhe premtimi për projekte infrastrukturore të rëndësishme që do të fillojnë sapo qeveria e tij të vijë në pushtet. Në fokus të planit të tij ishte edhe zhvillimi i Shkodrës dhe i gjithë Shqipërisë, duke i dhënë theks zhvillimit të infrastrukturës dhe avancimit të teknologjisë. Këto nisma, sipas tij, do të kontribuonin në krijimin e një Shqipërie më moderne dhe konkurruese në nivel global.

Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar ndaj ftesës së kryeministrit Edi Rama për deputetin Dashnor Sula, duke e konsideruar këtë një tregues të qartë se lëvizja e tij drejt Lapajt ishte një zgjedhje e gabuar. Sipas liderit të demokratëve, deklaratat e Ramës dëshmojnë se alternativa e re opozitare nuk është gjë tjetër veçse një mbështetje e fshehtë për qeverinë.  Ai cilësoi këtë zhvillim si një konfirmim të faktit se Lapaj dhe grupi i tij nuk përfaqësojnë një ndryshim të vërtetë, por janë ‘paterica të Ramës’.

Kryetari i PD ka komentuar pas pyetjes së një gazetari edhe gjestin e Nokës me gisht në seancën e fundit të kuvendit. ‘Flamuri mund të mos e bënte atë gjest’, tha kreu demokrat duke shtuar se, ‘ai e di se ata kuptojnë më mirë se gjithçka tjetër gjuhën afrodiziake’.

Në konferencën për shtyp, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shprehu me entuziazëm besimin se aleanca që ai udhëheq është themeli i një Shqipërie madhështore. Ai e përshkroi këtë aleancë si një program të paprecedentë, që, sipas tij, do të sigurojë një të ardhme të ndritur për vendin. Berisha theksoi se ky program përmban katër shtylla të rëndësishme, duke përfshirë zhvillimin ekonomik, pastrimin nga krimi, ndërtimin e një shteti të fortë dhe avancimin në fushën e teknologjisë.

Ai rikujtoi aktet historike që kanë shënuar kalimin e Shqipërisë nga diktatura në pluralizëm, si dhe anëtarësimin e vendit në NATO, duke i cilësuar ato si momente madhështore. Lideri i PD-së kritikon ashpër aktualitetin politik dhe thekson se pastrimi i vendit nga bandat dhe korrupsioni është një prioritet. Berisha gjithashtu përmendi lidhjet e qeverisë me krimin dhe akuzoi disa ministra të saj për implikim në skandale.

Në konferencën e zhvilluar këtë të mërkurë me gazetarët, lideri i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama si ‘gënjeshtarin më të madh’ dhe ka kritikuar qeverisjen e tij për vonesat dhe mashtrimet lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Berisha theksoi gjithashtu se, ndonëse Rama premtoi hapjen e negociatave në 2017, ato u realizuan vetëm pas tetë vitesh, duke e cilësuar këtë si një mashtrim të madh ndaj shqiptarëve. Ai shtoi më tej se për qeverinë e Aleancës për Shqipërinë Madhështore, integrimi në BE do të jetë objektivi kryesor, duke u bazuar në meritë dhe përmbushjen e kritereve të nevojshme, në kundërshtim me premtimet bosh të qeverisë aktuale.

Lideri i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama si ‘gënjeshtarin më të madh’ dhe ka kritikuar qeverisjen e tij për vonesat dhe mashtrimet lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Berisha theksoi gjithashtu se, ndonëse Rama premtoi hapjen e negociatave në 2017, ato u realizuan vetëm pas tetë vitesh, duke e cilësuar këtë si një mashtrim të madh ndaj shqiptarëve. Ai shtoi më tej se për qeverinë e Aleancës për Shqipërinë Madhështore, integrimi në BE do të jetë objektivi kryesor, duke u bazuar në meritë dhe përmbushjen e kritereve të nevojshme, në kundërshtim me premtimet bosh të qeverisë aktuale.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar ashpër skandalin e lidhur me ndërtimin e hotelit më luksoz në Durrës, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me Edi Ramën dhe familjen e tij. Ai theksoi se Olsi Rama, vëllai i Edi Ramës, ishte aksioneri kryesor i këtij projekti, dhe se ai e kishte denoncuar këtë fakt disa herë në të kaluarën.

Berisha u shpreh se, Erion Veliajn dhe Maznikun, janë të lidhur ngushtësisht me këtë skandal, ndërsa vuri në dukje se Rama ishte personi i drejtpërdrejtë që drejtonte të gjithë procesin. Ai e cilësoi si akt ekstrem kthimin e parave të konfiskuara për kompaninë ‘5D’, duke e konsideruar këtë veprim si dëshmi të lidhjes së Ramës me korrupsionin dhe krimin. Berisha u shpreh se dosja e këtij skandali u dërgua në gjykatë pa akuzuar asnjë prej personave të përfshirë, përfshirë Veliajn, Maznikun dhe Ramën.  

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën me gazetarët, e cilësoi Ramën si një ‘kufomë politike’, duke e akuzuar për humbje të mbështetjes dhe përpjekje të dështuar për të mbajtur pushtetin. Berisha theksoi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në katër muajt e fundit, duke e përshkruar Ramën si një figurë qesharake dhe të paqëndrueshme. Ai i bëri thirrje qytetarëve që të veprojnë dhe të kërkojnë largimin e Ramës, duke theksuar se fundi i tij politik është i paevitueshëm.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, lideri demokrat shpalosi disa nga masat që ai garanton të realizohen në 100 ditët e para nëse PD rikthehet në pushtet. Sipas tij, do të miratohet një ligj që garanton se ilaçet që shiten në Shqipëri do të jenë të njëjtat që shiten edhe në dy vende anëtare të BE, për të siguruar cilësinë më të lartë për qytetarët shqiptarë. Berisha premtoi gjithashtu se kostot e paketës së rimbursimit do të mbulohen nga qeveria.

Ai i akuzoi Vilma Nushin dhe Tom Doshin për shitjen e ilaçeve nën standard dhe tha se ata do të humbasin çdo licencë dhe do të ndëshkohen. Lideri i PD-së përmendi gjithashtu çështjen e tokave e Nushëve në Vuno dhe Dhërmi, duke paralajmëruar se ndërtimet dhe tokat do të konfiskohen dhe se ka prova për falsifikimet që janë bërë në këtë proces. Ai u angazhua të sjellë dokumentet që dëshmojnë këtë plaçkitje dhe krim.

Kryedemokrati Sali Berisha i ka bërë thirrje Kongresit Amerikan dhe FBI, për një hetim për korrupsionin e mundshëm të ambasadores Yuri Kim. Në konferencën me gazetarët, Berisha shprehu gatishmërinë për të ofruar informacionet që ka në dispozicion lidhur me këtë çështje, duke theksuar se ka akuzuar publikisht ambasadoren si të përfshirë në korrupsion dhe ka kërkuar që të bëhet një hetim i plotë.

I pyetur nga gazetarët, kryetari i opozites Sali Berisha komentoi afrimin mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, duke e cilësuar atë si një ‘dashuri të fshehur’ që tani është bërë publike. Ai tha se kjo marrëdhënie ka kaluar nëpër faza, nga ajo latente deri tek dalja hapur në publik. Sipas tij, nuk ka asgjë të re në këtë zhvillim, pasi ai e kishte paralajmëruar më parë. Me një ton sarkastik, ai uroi që kjo lidhje të forcohet edhe më shumë, duke përfunduar me frazën: ‘Zoti ua shtoftë.’

FJALA E PLOTE:

Në Podgoricë, nën drejtimin e presidentit të Partisë Popullore Europiane, zotit Manfred Ëeber, u zhvillua konferenca rajonale e PPE me një pjesëmarrje të gjerë paneuropiane.

Në këtë konferencë, kushtuar Ballkanit Perëndimor, PD mori pjesë aktive.

Në panelin e hapjes së konferencës, paraqita me të gjithë shëmtinë e saj narkodiktaturën e Shqipërisë si regjimi i parë i instaluar në shekuj në Europë.

Unë informova PPE se njeriu që shëtit me atlete të bardha në samite ndërkombëtare dhe paraqitet si liberal sportist apo piktor, pavarësisht se i dështuar në të dy aspektet, brenda në Shqipëri është një njeri që nuk respekton asnjë ligj, asnjë rregull, as Kushtetutë, as vendime të Kushtetutës, asgjë.

Është një narkodiktator i llojit të tij, i cili vazhdon dhe aplikon terrorin politik.

Aplikon shndërrimin e zgjedhjeve në farsë, pra përbën një rrezik të madh për Shqipërinë, rajonin dhe Europën.

Fjala u ndoq me shumë interes, natyrisht theksoj edhe njëherë se Europa në shekuj ka parë të gjitha llojet e diktaturave, përveç narkodiktaturës.

Garantoj shqiptarët se kjo përpjekje e rëndësishme që u bë dje ka filluar të ketë një rezonim të madh dhe të vërtetë dhe do vazhdojë gjer në vendosjen para përgjegjësive ligjore të të gjithë atyre që shndërruan Shqipërinë nga shtet ligjor në narkoshtet.

Gjatë qëndrimit në Podgoricë, u krijua mundësia të bisedoj me presidentin e PPE, Ëeber, me drejtues të tjerë të kësaj partie, me mikpritës lokalë dhe pjesëmarrës në këtë konferencë.

Unë e shfrytëzoj rastin për t’i shprehur mirënjohjen presidentit Ëeber për ftesën dhe interesin dhe kujdesin që ai tregon për PD në Shqipëri dhe zhvillimet në Shqipëri.

Ju jeni dëshmitarë, janë tre rezoluta ndërkombëtare, të cilat janë votuar nga PPE, IDU dhe CDI.

Pra, ka një ndryshim, ka një zhvillim dramatik pozitiv në marrëdhëniet e PD me PPE dhe partitë simotra.

Aty takova dhe pata bisedë me zëvendëspresidenten e Forza Italia, Debora Bergamini, një mikeshë e vjetër, që ka qenë asistentja e parë e Silvio Berluskonit.

Pati edhe përfaqësues të partive të tjera me të cilët biseduam për bashkëpunimin mes forcave tona politike.

Pra, mesazhet e Podgoricës janë mesazhe mbështetje të plotë për PD dhe fitoren e saj në zgjedhjet e ardhshme.

Nga Podgorica, siç e patë, u ktheva në një miting, më i zjarrti qëka njohur pallati i sportit i Shkodrës që kur janë hedhur themelet e tij gjer sot.

Kam qenë në atë pallat shumë herë, por entuziazmin, optimizmin dhe energjinë që ndjeva gjatë atij takimi, nuk e kisha parë asnjëherë.

Paraqita deputetë të shkëlqyer para atyre qytetarëve të mrekullueshëm dhe i gjeta të vendosur më shumë se kurrë qytetarët e Shkodrës dhe të qarkut të votojnë PD-në dhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore.

Programi i PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore po bëhet pjesë shpirtërore e qytetarëve shqiptarë.

Motoja jonë se do u kthejmë paratë shqiptarëve po ngjit gjithnë e më shumë.

Minimumi jetik 200 euro, rritja e pensioneve me 20 përqind, rritja e rrogës minimale me 20 përqind, rritja e rrogës mesatare në 1200 euro, karta e konsumatorit për pensionistët dhe rrogëulëtit, kanë pasur një impakt shumë pozitiv.

Çdo ditë unë marr pyetje nga njerëz të braktisur, njerëz në nevojë.

Një nënë më drejtohej: jam me dy fëmijë, a do përfitoj unë për fëmijët jetimë. Do përfitojë 200 euro për fëmijë.

Po, fëmijët jetimë do të përfitojnë 200 euro që të gjithë.

Nuk mund të ketë më shqiptarë të agresuar nga varfëria ekstreme.

Jo!

Kjo merr fund.

Nuk mund të ketë shqiptarë me çerek pensioni, gjysmë pensioni apo dy të tretat pension. Do ketë shqiptarë me 200 euro.

Me kartën e konsumatorit do marrin 450 euro, sot për sot se nesër kur të rriten çmimet, do shkojë edhe më shumë.

Kompensim për TVSH që paguajnë.

Energjia do zbresë në 7 lekë.

Nafta do zbresë në çmimet që ka Kosova.

Pra, kjo paketë që e quajmë paketa e dhembshurisë dhe që në fakt nuk është asgjë tjetër veçse kthimi i parave tek shqiptarët se atyre u merren taksat dhe ne do ua kthejmë atyre.

Ne nuk do shpenzojmë 130 milionë euro për djegësin që nuk ekziston.

Kryeministri nuk do udhëtojë me avion taksi 21 milionë euro në dy vite. Jo, do udhëtojë me linja tregtare.

Nuk do blihen kopshte Edeni 5 milionë euro, një çmenduri e paimagjinueshme, sikur është Sulltani i Surrelit. Jo, do kthehen në pensione.

Nuk do shtrohen darka dhe dreka me shishe vere 33 mijë euro. Jo dhe jo, asnjëherë.

Nuk do ndërtohen rrugë me 10fishin e çmimeve, paratë do u kthehen shqiptarëve, do u jepen rroga, pensione, kompensim i TVSH e me radhë.

Ky është vetëm fillimi.

Ky start nuk ndalet gjersa shqiptarët të dalin në krye të vendit për rrogat dhe pensionet.

Ky është preokupimi ynë, ky është zotimi ynë.

Prandaj ju patë atë takim aq të zjarrtë në pallatin e sportit në Shkodër.

Qytetarëve do u kthejmë paratë.

Do presim me gërshërë dorën që do guxojë të prekë paratë e tyre.

Natyrisht nuk mund të mos them se kishte një rëndësi të veçantë edhe fakti se Sali Berisha është i njohur për mbajtjen e padiskutueshme të premtimeve dhe unë u zotova aty tre gjëra.

-Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Jo vetëm ata që nxorën autokolonën më 13 maj, por edhe Beneti që hipte mbi tanket e tyre të blinduara, ata do dënohen të gjithë sipas ligjit.

-Autostrada Shkodër-Milot dhe bajpasi i Elbasanit do jenë dy veprat e para publike që do ndërtojë qeveria e ardhshme dhe do nisë punimet sapo të vijë në pushtet.

-Zgjerimi i rrugës së Muriqanit dhe investime të tjera, por unë u ndala në këto objekte kryesore.

Prandaj ky është edhe fakti se pse Shkodra dhe shkodranët e kanë pritur me entuziazëm idenë e Shqipërisë Madhështore, e cila fillon me paketën e dhembshurisë dhe pastaj vazhdon me Made in Albania dhe projektet e mëdha, Shqipëria thellësisht high-tech.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat