Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë konferencës për media theksoi se, protesta e organizuar, nga Edi Rama dhe qeveria e tij, nga rrogëtarë të shtetit dhe policë me dhe pa armë, rrethuan për orë të tëra gjykatën speciale dhe prokurorinë speciale. ‘Një sulm i tillë dëshmon jo vetëm dështimin e plotë dhe total, por shkallën e jashtëzakonshme të kriminalizimit të drejtuesve të narkoshtetit shqiptar’, tha Berisha.
Sipas kyedemokratit Sali Berisha, Rama dhe Veliaj organizuan në mënyrë kriminale rrethimin e institucioneve të drejtësisë dhe sulmin fizik ndaj prokurorëve dhe gjykatësve, mbajtjen peng në ndërtesë për orë të tëra duke mos i lënë për të dalë. Berisha deklaroi se, ‘kurrë nuk kam lexuar, nuk kam dëgjuar, që një shtet, përveç narkoshteteve që të kenë një qëndrim të tillë, të kryejnë akte të tilla ndaj institucioneve të një pushteti tjetër, që në Kushtetutë dhe në parim ndërkombëtar duhet të jetë i pavarur’.
Duke komentuar mosreagimin e policisë pas protestës antidrejtësi, lideri i opozitës, Sali Berisha theksoi se, do të dërgojë për ndjekje penale ministrin e Brendshëm Ervin Hoxhaj, drejtorin e përgjithshëm të policisë, Matriksin dhe vetë Edi Ramën për aktin e paprecedent, e pashembullt që ka ndodhur dje, kur segmente të shtetit ngrihen me dhunë kundër institucioneve të tjera. ‘Kam shumë probleme me kërkesat e panumërta për të shkuar populli në Surrel, Ndaj dhe njëherë i them kthjellohu dhe mos guxo të prekësh, të bësh presione banditeske ndaj një pushteti që në Kushtetutë dhe ligj është i pavarur’- u shpreh Berisha.
Për kryedemokratin Sali Berisha, nuk ka ndodhur kurrë në histori, që të çohet policia e bashkisë me trafikantë dhe çfarë janë të tjerë patronazhistë dhe ektremistë për të goditur makinat e gjykatësve, për të mbajtur peng gjykatësit për orë të tëra në ndërtesë. ‘Kur antishteti vepron në këtë mënyrë, kur narkoshteti vepron në këtë mënyrë, qytetarëve nuk u ngelet gjë tjetër vetëm mbrojtja e Kushtetutës dhe do të shpallim mbrojtjen e saj’- nënvizoi kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Duke marrë shkas nga sjellja e Edi Ramës, i cili ka fshirë të gjithë foto e tij me Soros nga rrjetet sociale, kreu i Partisë Demokratike gjatë deklaratës për media të mbajtur ditën e sotme tha se Edi Rama e kishte vetë këtë pasion për drogën dhe krimin dhe Xhorxh Soros bëri gjithçka, dhe përdori pushtetin e çdo influencë për të ndërtuar një sistem që i atij të vijnë deri këtu. ‘E morët vesh që i ka fshirë të gjitha fotot e Soros, i fshiu, si kukull e Sorosit i cili u shpall armik në SHBA dhe kukulla e Soros nuk mund të jetë ndryshe’, theksoi kryetari i PD-së gjatë konferencës për mediat.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me akuzat ndaj Veliajt dhe denoncimin e bërë në SPAK, Berisha u shpreh se Erion Veliaj në zgjedhjet e vitit 2021 ishte i plotfuqishmi i qarkut të Tiranës. Çfarë bëri Edi Rama? Pasi provoi ta zëvendësonte me Lubinë dhe natyrisht në fushën e intrigave duket se nuk arriti, dërgoi Manastirliun. ‘Tani vijmë te Nesti Angoni. Çfarë është ky? Është Lubi Balluku me Edi Ramën. Letra ka ardhur nga burgu i Fierit. Bistri është në burgun e Fierit që ta dini ju dhe më vjen keq që media e kaloi Bistrin në mënyrë shumë sipërfaqësore’, deklaroi kryetari i PD-së.
I pyetur nëse do të thërrasë protestë të hënën tek SPAK, meqë i duhet të shkojë atje, kryedemokrati Sali Berisha tha se, aty do të organizojë një konferencën të shkëlqyer shtypi, pasi aty është një sfond i mrekullueshëm për të komunikuar me publikun.
Duke sqaruar dhe procesin e primareve, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se regjistrimi i 300 emigrantëve nga kandidatët që duan të marrin pjesë për primare, parakupton regjistrimin tyre, duke filluar nga dita e djeshme dhe jo para saj. ‘E dyta, një këshillë miqësore për secilin kandidat, mund të shkoni nëpër botë ku të dëshironi, por në vlerësimin tim, rruga më efiçente, më e sigurt, të kërkoni në lagjen tuaj, aty ku banoni, aty i keni’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës për mediat.
FJALA E PLOTE:
Dje, qytetarët shqiptarë dhe komuniteti ndërkombëtar ishin dëshmitarë të akteve më të shëmtuara në historinë e narkoshtetit sulmit kriminal ndaj institucioneve të drejtësisë nga institucione të tjera të narkoshtetit.
Dje ishte puntata më kulmore e Narkosit në Shqipëri.
Protestë e organizuar, e lajmëruar nga Edi Rama dhe qeveria e tij, nga rrogëtarë të shtetit dhe policë me dhe pa armë, rrethuan për orë të tëra gjykatën speciale dhe prokurorinë speciale.
Mbajtën të ndryrë në gjykatë, gjykatës dhe punonjës të administratës së gjykatës, sulmuan si banditë makinat e tyre.
U sollën sikur ato të ishin institucione të pushtuesit.
Një sulm i tillë dëshmon jo vetëm dështimin e plotë dhe total, por shkallën e jashtëzakonshme të kriminalizimit të drejtuesve të narkoshtetit shqiptar.
Të dërgosh mijëra policë dhe rrogëtarë shteti për të rrethuar një institucion të zbatimit të ligjit, të kërcënosh me jetë gjykatësit, i nxitur direkt nga Edi Rama, është një apel për çdo shqiptar.
Dëshmon se je i gatshëm të përdorësh çdo mjet antidemokratik, të përdorësh dhunën sa herë që zbatimi i ligjit nuk të intereson.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, kjo mazhorancë, kjo pseudomazhorancë apo narkomazhorancë, ka faktuar se nuk njeh ligj, nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Por, në një akt të pashembullt në historinë e një shteti, por natyrisht në një akt tipik të një narkoshteti, kjo zgjodhi tani sulmet fizike kundër gjykatësve dhe prokurorëve që kanë vendosur ndryshe nga sa dëshiron narkomazhoranca.
Nuk është kjo një akt i papritur.
Nuk është kjo një rezultat i momentit.
Jo, të dashur qytetarë.
Ky është rezultati i ndërtimit prej vitesh të një narkoshteti në këtë vend, i mbështetur fuqishëm nga Xhorxh Soros dhe mafia e tij.
Mos harroni se Edi Rama dhe Erion Veliaj që organizuan në mënyrën më të turpshme, më kriminale, më të padenjë rrethimin e institucioneve të drejtësisë dhe sulmin fizik ndaj prokurorëve dhe gjykatësve, mbajtjen peng në ndërtesë për orë të tëra duke mos i lënë për të dalë, kanë kryer gjer në këtë akt, me dhjetëra akte të tjera, për të cilat edhe mund të jenë mbështetur dhe duartrokitur.
Me këtë akt, Edi Rama dhe banda e tij, organizata e tij kriminale që kryeson, u dëshmuan shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se ata pranojnë një drejtësi që shtrihet tek këmëbt e tyre, që u nënshtrohet atyre.
Kurrë nuk kam lexuar, nuk kam dëgjuar, që një shtet, përveç narkoshteteve që të kenë një qëndrim të tillë, të kryejnë akte të tilla ndaj institucioneve të një pushteti tjetër, që në Kushtetutë dhe në parim ndërkombëtar duhet të jetë i pavarur.
Janë tejkaluar të gjitha normat.
Unë i jap ultimatum Edi Ramës, mos guxo të organizosh protestë tjetër se opozita do të përgjigjet me një kundërprotestë që ti nuk mund ta imagjinosh.
Mos guxo, mbaje mend këtë.
Po thirrje protestë, do thirret protesta përfundimtare për ty.
Po shkojmë drejt zgjedhjeve, ki kurajën të përballesh me votën e shqiptarëve, por sulmi që bëre, tejkalove El Çapon, Toto Rinën dhe çdo kriminel në pushtet dhe jashtë pushteti që ka ekzistuar gjer sot.
Skenari që panë shqiptarët faktoi se kemi të bëjmë me një bandë të shkallmuar.
Ka shkallmuar Edi Rama!
Këto që shihni ju janë vetëm një pjesë e dëshmive të shkallmimit të tij se ka të tjera shumë më të tmerrshme për të.
Po, po, ta dini mirë këtë.
Por, akte të tilla, që destabilizojnë vendin në një moment zgjedhjesh, janë të dënueshme.
PD, duke dënuar me forcën më të madhe, deklaron se do dërgojë për ndjekje penale ministrin e Brendshëm Ervin Hoxhaj, drejtorin e përgjithshëm të policisë, Matriksin dhe vetë Edi Ramën për aktin e paprecedent, e pashembullt që ka ndodhur dje, kur segmente të shtetit ngrihen me dhunë kundër institucioneve të tjera.
Thashë, ky është narkoshtet, por është e patolerueshme.
Në qoftë se këta vazhdojnë të thërrasin protesta, do përballen me opozitën.
Asnjë protestë nuk është thirrur nga opozita.
Ato kanë qenë konferenca shtypi dhe do jenë konferenca shtypi.
Dhe siç jeni ju të gjithë dëshmitarë, nuk është kryer as akti më i vogël.
Po, meqenëse unë kam vendosur të bëj transparencë, siç janë kureshtarë gazetarët dhe vijnë, janë kureshtarë edhe qytetarët.
Por absolutisht asnjë forme presioni.
Dhe nuk është shkuar asnjëherë përpara gjykatës. Jo, nuk ka, nuk mundet të ndodhë kjo që ndodhi dje.
Prandaj i them Edi Ramës, po vazhdove, popullin do e kesh në Surrel.
Mos destabilizo vendin, do përgjigjesh personalisht për të gjitha.
Nuk e dinim, nuk kanë turp. Kush nuk e dinte? Një natë më para kanë qarkulluar mesazhet në të gjitha telefonat e Shqipërisë, po na çojnë me detyrim thuhej, se sigurisht aty ka rrogëtarë dhe njerëz të ndershëm që e kuptojnë se nuk kryhen akte të tilla.
Po aty ishin banditët që rrethonin dhe godisnin makinat e gjykatësve.
Edhe njëherë i them mos guxo të marrësh aktin më të vogël të dhunës.
Mos guxo se popullin do e kesh edhe në Surrel.
Kam shumë probleme me kërkesat e panumërta për të shkuar populli në Surrel dhe më kujtohet ajo koha kur kërkonin të shkonin në Bllok. Po, ka qenë në kohë kur sulmi i Bllokut ishte motoja. Por ne nuk donim gjakderdhje. Kjo është e vërteta.
Po nëse ti kalon çdo lloj, kjo është jashtë çdo lloj standardi.
Ndaj dhe njëherë i them kthjellohu dhe mos guxo të prekësh, të bësh presione banditeske ndaj një pushteti që në Kushtetutë dhe ligj është i pavarur.
Tjetër punë se ti do një drejtësi tek këmbët e tua.