Ish-deputeti Myslim Murrizi ka reaguar me tone të forta ironie ndaj deklaratave të përsëritura nga opozita, e cila çdo vit premton “luftë të madhe” dhe “rrëzim të Ramës” në shtator. Përmes një postimi në rrjete sociale, Murrizi tallet me retorikën që përsëritet vit pas viti, duke e quajtur një farsë që nuk prodhon asgjë përveç fjalëve.
“Se në shtator! Se në shtator! Nuk keni nge të dëgjoni askënd nga ‘lufta e madhe’ që do plasi,” shkruan ai me tone tallëse.
Duke përmendur me sarkazëm terma si “revolucion”, “guerilë”, “betejë dhëmb për dhëmb”, “paketa e maleve dhe haleve”, apo “ligji për kosin, djathin dhe shalqirin”, Murrizi kritikon ashpër mënyrën sesi një pjesë e politikës i shesin qytetarëve iluzione për ndryshim, por më pas zhduken pa asnjë veprim konkret.
“Pastaj në tetor, qetësi absolute sepse hyn në fuqi Kodi Penal. Nuk të le as të çosh dorën te veglat e tua se të rras në kokërr të burgut,” ironizon më tej ai, duke nënvizuar frikën që po i imponohet qytetarëve përmes ndryshimeve ligjore.
Murrizi nuk kurseu as “analistët” apo mbështetësit pa kushte të lidershipit opozitar, të cilët i quan “servilë të jargavitur”, që duartrokasin çdo fjalë të liderëve, pa asnjë reflektim.
Deklarata e Murrizit vjen një ditë pas paralajmërimeve të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili u zotua për protesta të fuqishme në vjeshtë, me synimin për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti. Por sipas Murrizit, këto premtime janë bërë gjithmonë dhe kanë mbetur vetëm në letër.