Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me persona me aftësi të veçanta, ku prezantoi pjesën e programit elektoral të PD-së që lidhet me mbështetjen për këtë kategori, në rast të fitores në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Berisha denoncoi situatën aktuale të trajtimit të personave me aftësi të kufizuar, duke e cilësuar si një formë dënimi me varfëri: “Ju merrni një pension prej 140 mijë lekësh, ndërsa shumë prej jush janë edhe kryefamiljarë. Kjo është t’iu dënohesh me mjerim,” tha ai.
Kreu i PD-së premtoi një rritje të ndjeshme të mbështetjes ekonomike: “Nuk do të ketë më pension nën 200 euro. Për ju, ky minimum jetik do të kalohet në bazë të shkallës së aftësisë së kufizuar. Çdo person me aftësi ndryshe që është kryefamiljar, do të ketë mbështetje edhe për familjarët e tij,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e rehabilitimit, duke paralajmëruar investime të mëdha në këtë sektor: “Do të bëjmë gjithçka për rehabilitimin. Do të realizojmë investimet më serioze në këtë fushë, për t’u siguruar të gjithë qytetarëve me aftësi ndryshe mundësinë për të zhvilluar dhe përmirësuar aftësitë e tyre.”
Fjala e kryedemokratit:
Së pari, ju falënderoj për praninë tuaj këtu, përfaqësues të dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë me aftësi ndryshe dhe t’u siguroj se ky program që ne kemi për ju brenda 100 ditëve të para do të sjellë një ndryshim rrënjësor në qëndrimin e shoqërisë ndaj jush.
Sot, qëndrimi i shoqërisë ndaj jush në një mënyrë apo një tjetër, është një lloj braktisje.
Sepse, braktisje është në qoftë se ju për problemet që keni, paguheni me një shumë qesharake.
Në qoftë se, shoqëria nuk bën çdo përpjekje për përfshirjen tuaj brenda atyre mundësive që keni në jetën normale, në punë.
Po të shohësh sot, nga 17 mijë invalidë të deklaruar në gjendje pune, janë gjithsej të punësuar 300-400 prej tyre.
Në administratën shtetërore, që e ka për detyrim, nga 220 mijë punonjës, ka gjithsej 212 invalidë.
Kjo është një aktakuzë shumë e rëndë për këtë administratë.
Dhe unë u garantoj ju të dashur miq se pothuaj një e treta e rrogave që jepen në administratën shtetërore janë në emigracion dhe nuk janë fare në Shqipëri, por janë emra të regjistruar dhe qeveritarët, zyrtarët ndajnë ato paratë njëri me tjetrin.
Kurse ju iu lënë me pensione absolutisht si aktakuzë e rëndë e kësaj vjedhje që bëhet.
140 mijë lekë pensioni, në një kohë kur shumë nga ju jeni kryefamiljarë, keni njerëz për të mbajtur, keni detyrime përveç vetes tuaj, do të thotë t’u dënosh ju me mjerim. Dhe ky, është dënimi me mjerim.
Sepse në qoftë se i jep ti tjetrit 150 mijë lekë të vjetra për të kaluar muajin me të gjithë problemet që ka, ilaçet, etj, ai nuk e përballon dot kurrë jetën.
Ne e kemi shpallur, në Shqipëri nuk do ketë pension nën 200 euro.
Por u garantoj se pensionet për ju, pra ky minimum jetik do tejkalohet sipas shkallës së aftësisë ndryshe, pa asnjë lloj hezitimi.
U siguroj se për secilin qytetar me aftësi ndryshe, që është kryefamiljar, që mban familjen, familjarët e tij do trajtohen me minimumin jetik.
Nuk do mund të bëjë kush korrupsioni mbi ju.
Shikoni çfarë djallëzie kanë bërë këta, që nuk e ka kërkush. Ligji që parashikon përmbushjen e nevojave tuaja, ai ligj nuk thotë për qytetarët me aftësi ndryshe, por thotë edhe për qytetarët me aftësi ndryshe, domethënë që të lëshohet edhe lukunia tjetër.
Por, ne qëllimin duhet ta kemi në radhë të parë për këtë grup të shoqërisë, sepse aty është prova e njerëzisë, prova e humanizmit, prova e bamirësisë.
Nuk është bamirësi, është detyrim madhor.
Ne do bëjmë gjithçka për rehabilitimin.
E kam theksua dhe e theksoj se ky është një sektor mungestar në Shqipëri.
U siguroj që investimet më serioze do bëhen në sektorin e rehabilitimit, në mënyrë që secili qytetar me aftësi ndryshe, të mund të zhvillojë, të përmirësojë aftësitë e tij, të ushtrohet dhe të rehabilitohet.
Rehabilitimi këtu është pothuajse inekzistent.
Ose po të duash ta marrësh, është shumë i kushtueshëm dhe nuk përballohet.
Ne nuk jemi ende një vend i pasur, por ne jemi, ua them unë ju me garancinë më të madhe, me vërtetësinë më të madhe, se ne jemi një vend, i cili në rast se përdor me transparencë dhe drejtësi buxhetin e vet, nuk do ketë asnjë shqiptar në gjendje mjerimi.
Sepse qeveria disponon çdo vit të ardhurat që mbledh nga qytetarët dhe ajo duhet t’i shpërndajë ato me drejtësi.
Se cila është drejtësia e kësaj qeveria në shpërndarjen e të ardhurave, unë do u jap ju vetëm një shembull.
Këtë vit ishte 8 miliardë euro buxheti, më i madhi. Po, më i madhi ishte, ua them edhe unë, se ky ka filozofinë e taksave të larta, ky vendos taksa në çdo gjë, jo ne nuk kemi këtë filozofi, ne nuk vendosim taksa në çdo gjë, në asnjë mënyrë.
Por ky 8 miliardë euro, dhe pati çfarë t’i thuash, thoni çdo epitet që mund t’i vini, la për 760 mijë pensionistë, gjithsej 16 milionë euro. 16 milionë euro për më shumë se një të tretën e popullatës. Si mundet një njeri? Kush mundet kështu? Mundet ai që ka sy, por nuk shikon se sytë e mendjes ia ka bllokuar luksi, mashtrimi, hajnia.
Si mundet ai që t’u japë pensionistëve 16 milionë euro dhe të thotë se po vura më shumë, biem në katastrofë. Kolegu i tij në Prishtinë u lë pensionistëve 6 herë më shumë, 100 milionë euro. Dhe i merr nga buxheti, nuk u thotë pensionistëve që ju e keni fondin e pensioneve kaq dhe aq do merrni. Pra ai ka 1 mijë arsye morale dhe ligjore që nga buxheti të kalojnë para për ju për ët fituar pensionet.
Po mund të rrijë invalidi, personi me aftësi ndryshe me 14 mijë lekë pensioni? Kurrë nuk mund të rrijë. Ky është një cinizëm. Kjo është pashpirtësi. Dhe kjo merr fund.
Dhe ua them ju këtu sot se paketa e dhembshurisë do fillojë më së pari me ju.
Ajo paketë do u japë përgjigje në radhë të parë çështjeve kryesore tuajat.
Në radhë të parë pensioneve dinjitoze.
E kam thënë dhe e them, shteti do të përballojë të gjitha llojet e shpenzimeve që duhet të kompensoni për aftësitë ndryshe.
Të gjitha.
Shteti do bëjë gjithçka që ju të mund të angazhoheni me aq sa e keni mundësinë, në punë.
T’u lehtësojë sa më shumë ju dhe familjet tuaja.
Ai fondacioni që është ngritur për t’ua marrë nga xhepi ato që u japin. Se këta kështu e kanë. Edhe për fermerët japin 56 milionë dhe marrin për vete 30 milionë për rroga dhe u lënë gjithë fermerëve të Shqipërisë më pak se 30 milionë.
Edhe këtu të njëjtin qëndrim mbajnë.