Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për procesin e përzgjedhjes së kandidatit të opozitës për Tiranën, duke theksuar se kandidatura e propozuar është e pavarur dhe përfaqësuese e qytetarëve.
Berisha u shpreh se mbledhjet e kryesisë së vogël dhe grupit negociator të PD kanë përfunduar me unanimitet për këtë zgjedhje, ndaj ai vendosi ta bëjë publike.
“Nuk kam komunikuar sepse janë në mision të vazhdueshëm. Po takohen me ta. Por natyrisht mbledhja u bë, kryesia e vogël e PD-së u mblodh, grupi negociator u mblodh, në unanimitet kishin këtë mendim dhe ndaj unë e gjykova që, s’ka pse ta mbajmë të fshehur, kjo është e vërteta. Thashë të ua thosha ju,” tha Berisha.
Ai shtoi se pret mbështetjen e forcave të tjera opozitare dhe aleatëve, duke e cilësuar kandidaturën si një profil që përfaqëson qytetarët me dinjitet.
“Shpresoj që aleatët dhe opozitarët e tjerë të mbështesin një kandidaturë që vërtet është absolutisht e pavarur dhe përfaqëson qytetarët e këtij vendi, me shumë dinjitet,” theksoi ai.