Kryetari i Partisë Demkoratike, Prof. Dr. Sali Berisha e cilësoi sistemin shëndetësor në Shqipëri katastrofik dhe të ngjashëm me vendet e botës së tretë. Berisha u shpreh për gjatë deklaratës së tij për media se shqiptarët paguajnë taksa të larta për shëndetësinë, ndërkohë që premtonte shëndetësi falas. Vdekshmëria nga sëmundjet e zemrës dhe malinje është shumë më e lartë se në BE, dhe vdekshmëria foshnjore është shumë më e lartë se në vendet fqinje. Spitalet, përfshirë Spitalin Onkologjik, kanë mungesë ilaçesh dhe aparaturash. Buxheti për shëndetësinë është shumë i ulët dhe nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat e qytetarëve, tha ndër të tjera lideri i Opozitës.
Berisha deklaroi se PD do të dyfishojë buxhetin për shëndetësinë dhe do të rrisë rrogat e mjekëve dhe infermierëve për të parandaluar ikjen e tyre nga Shqipëria. Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se do të garantohet furnizimi me ilaçe të cilësisë së BE-së dhe do të ndalohen medikamentet që nuk përdoren në dy vende të BE-së. PD do të ndërmarrë hapa për të rritur numrin e mjekëve, do të ndërtojë spitale të reja dhe do të krijojë një fakultet të dytë mjekësie. Po ashtu, Berisha foli për reforma në marrëdhëniet midis sektorit publik dhe privat, dixhitalizimin e sistemit shëndetësor dhe uljen e barrës financiare që qytetarët paguajnë për kujdesin shëndetësor, që aktualisht është shumë më e lartë se në vendet e tjera të BE-së. Ai premtoi anulimin e partneriteteve korruptive dhe luftën kundër korrupsionit në sektorin shëndetësor.
Ndër të tjera, Berisha tha se kontrata me Chris LaCivita do të bëhet publike, siç e kërkon ligji, dhe se ai nuk është si Edi Rama, i cili, mashtron dhe flet me vete. Lideri demorkat, Sali Berisha theksoi se do t’i përgjigjet çdo pyetjeje dhe do të respektojë detyrimin ligjor për të publikuar kontratën në KQZ, duke siguruar transparencë për burimet e financimit.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministri Rama se ka mbrojtur Altin Dumanin për çdo krim dhe vjedhje që ka bërë, duke e quajtur atë një mburojë për korrupsionin e qeverisë. Ai theksoi se Dumani ka mbuluar veprime të paligjshme, duke përfshirë dyshimet për vjedhje të mëdha, dhe ka ndihmuar që Edi Rama dhe Erion Veliaj të shmangin përgjegjësinë për skandale dhe pastrim parash. Berisha kritikoi sistemin që, sipas tij, kontrollohet nga një individ që përcakton gjithçka, dhe akuzoi se Dumani mbron ata që janë përgjegjës për korrupsionin. Berisha përfundoi duke shtuar se Rama duhet të “fshijë këpucët” e Dumanit për mbrojtjen që i ka bërë.
DEKLARATA E PLOTË
Shqipëria në raport me shërbimin shëndetësor, që u garanton qytetarëve të saj, renditet me vendet e botës së tretë.
Renditet ndër vendet në të cilin qytetarët paguajnë gjobën më të madhe në Europë, por edhe një nga më të lartat në botë për kujdesin e tyre shëndetësor, ndërkohë që Edi Rama, i cili 12 vite më parë, erdhi në pushtet me premtimin solemn për shëndetësi falas, sot merret me çdo gjë tjetër, por jo me dështimin madhor me pasoja shumë të rënda, qindra mijëra jetë njerëzish në kujdesin shëndetësor.
Sot shqiptarët vdesin nga sëmundjet e zemrës dy herë më shumë se mesatarja e BE.
Të njëjtat shifra janë për sëmundjet malinje.
Vdekshmëria foshnjore në Shqipëri është tre herë më të lartë se në Mal të Zi dhe vendet përreth.
E vërteta është se Shqpëria përballet me një furnizim me ilaçe të cilësisë më të dobët dhe më të paefektshme, më të pavlerë.
Rikujtoj këtu se një ligj që u garantonte shqiptarëve ilaçe të një cilësie me vendet anëtare të BE, ligj sipas të cilit në Shqipëri nuk mund ët tregtohen ilaçe që nuk tregtoheshin së paku në dy vende të BE, pra të miratuara nga enti evropian i kontrollit të barnave, ky ligj u zhduk dhe u zëvendësua me ligjin Nushi-Doshi dhe sot shqiptarët blejnë në farmacitë e tyre ilaçe jashtë të gjitha standardeve.
Kompanitë e mëdha braktisën Shqipërinë.
Dëshmira tragjike kanë ardhur në mënyrë të vazhdueshme për gjendjen katastrofale në Spitalin e Onkologjisë.
Ky spital, në vend që të ishte një institucion shprese për të sëmurët që me heroizëm luftojmë forma të ndryshme të këtyre sëmundjeve, faktikisht është një strehë ku njerëzit nuk vdesin nga sëmundja, por nga mungesa e ilaçeve për kurimin e sëmundjeve.
Në këtë spital për tre vite janë lënë jashtë funksioni aparaturat jetike.
Në këtë spital, aparaturat e tjera jashtëzakonisht të rëndësishme janë lënë për vite jashtë funksionit.
Në këtë spital, siç është raportuar, të sëmurëve u jepen ilaçe që nuk janë të përshtatshme për sëmundjet që kanë. Ose e njëjta dozë ndahet në disa doza sepse ilaçet mungojnë masivisht.
Kjo gjendje nuk është vetëm në Spitalin Onkologjik. Për fat të keq, kjo gjendje është edhe në spitalet e tjera publike, ku një i sëmurë, i cili pëson një trombozë karotide në arterien që ushqen trurin, diagnozën mund ta bëjë në spital publik, por kurimin detyrohet ta bëjë në spital privat.
Është krijuar një marrëdhënie çnjerëzore në dëm të të sëmurëve midis sektorit publik dhe privat.
Ligjet janë miratuar në përputhje me interesa mafioze dhe në kundërshtim me interesat e shëndetit të qytetarëve.
Buxheti për shëndetësinë është 14 herë më i ulët se në Gjermani. Por Gjermania nuk është një vend me rroga 14 herë më të larta se Shqipëria.
Është një buxhet krejtësisht i pamjaftueshëm.
Është 2-3 herë më i ulët se në vendet përreth.
PD e konsideron emergjencë programin për kujdesin shëndetësor të shqiptarëve.
Në këtë kontekst, ajo në aktin e parë, në buxhetin e parë, do dyfishojë buxhetin për shëndetësinë.
Në programin e saj, PD do garantojë në mënyrë të padiskutueshme ilaçe të cilësisë që përdoren në vendet anëtare të BE, duke ndaluar me ligj futjen në Shqipëri të çdo medikamenti që nuk përdoret në dy vende të BE.
PD konstaton se sot, numri i shtretërve për frymë është dy herë më i ulët se në vendet e BE.
Numri i mjekëve për frymë po shkon katër herë më i ulët.
Në këtë kontekst, shtimi i mjekëve, hapja e një fakulteti të dytë mjekësie me qëllim për të kapur sa më shpejt standardin evropian në mjekë për frymë, rikonstruksioni apo ndërtimi i spitaleve të reja do jenë objektiva imediate të PD.
Por, sistemi shëndetësor, i cili nga të gjitha sistemet ka pësuar hemorragjinë më të madhe, nuk do mund të qëndrojë pa dyfishuar rrogat e mjekëve dhe infermierëve në Shqipëri si kusht themelor që në Shqipëri, mjekët të qëndrojnë.
Që në Shqipëri të ndalohet kjo rrokullisje e madhe e sistemit shëndetësor.
Ndaj dhe dyfishimi i rrogave do jetë objektivi i parë dhe kryesor në ndërhyrjen tonë për sistemin e shëndetësisë.
Raporte të reja ligjore do vendosen midis sektorit privat dhe sektorit publik.
Qeveria do ruajë marrëdhëniet vetëm me sektorin privat jopërfitues.
Ndërsa me sektorin tjetër, sigurisht që do lejojë aktivitetin e tyre, por nuk do mund të përfitojnë nga aktivitetet, prokurimet në sistemin shëndetësor.
Kartela dixhitale dhe dixhitalizimi i saj do jetë themel i reformës që ne ndërmarrim.
Shqipëria është vendi i vetëm ku nuk ekziston kartela dixhitale, por ekziston kartela njëlloj si në fillim të shekullit të njëzetë.
Çdo gjë ishte e përgatitur, u la vetëm zbatimi i saj. Gjithçka u rrokullis këto 12 vite dhe u kthyem mbrapa.
Pra, një reformë e thellë, e shpejtë dhe e gjithanshme në të cilën ka një synim dhe vetëm një synim, rritja e shpejtë e cilësisë së shërbimit shëndetësor për qytetarët shqiptarë dhe ulja drastike e barrës financiare të tyre në kujdesin shëndetësor.
Kjo barrë sot shkon në 60 përqind, në një kohë kur në Gjermani është 12 përqind, në Itali është 21 përqind. 60 përqind është ndër më të lartat në botë dhe e tëra është korrupsion.
Do anulohen menjëherë të gjitha partneritetet qeveritare në shëndetësi, fund e krye korruptive.
Do vihen para ligjit të gjithë ata që u pasuruan mbi jetët e të sëmurëve shqiptarë.
Unë jam optimist se me vendosmëri, me dyfishim të buxhetit, me përfundim të reformës, me zbatim të reformës, ne do e ndryshojmë, vërtet do realizojmë një shërbim shëndetësor me cilësorin që ka njohur Shqipëria në historinë e saj.
Faleminderit!