Në nisje të konferencës me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të aktores së madhe Margarita Xhepa. Në një konferencë për gazetarët, ai e cilësoi Xhepën si artisten më përfaqësuese të skenës shqiptare për disa dekada. Sipas Berishës, ajo shndriti në qindra role me talentin dhe forcën e saj të jashtëzakonshme të interpretimit. Ai e vlerësoi Xhepën si një nga artistet më të dashura dhe më të çmuara të Shqipërisë. Në shenjë respekti, Berisha ftoi të gjithë të mbajnë një minutë heshtje në nderim të saj.
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka kritikuar ashpër gjendjen e kulturës shqiptare, duke e cilësuar atë më keq se në çdo periudhë pushtimi të mëparshëm. Berisha tha se mafia politike në pushtet ka çuar në shkatërrimin e infrastrukturës kulturore të vendit, duke theksuar se ky është një sulm ndaj trashëgimisë kombëtare dhe artit. Ai shpjegoi se buxheti për kulturën është qesharak, ndërsa artistët janë lënë të braktisur dhe pa mbështetje. Berisha e kritikoi ashpër edhe veprimtarinë artistike të Kryeministrit Edi Rama, duke i kujtuar atij vlerësimet negative të marrë për veprat e tij artistike në arenën ndërkombëtare, ku janë quajtur ‘shkarravina të një adoleshenti të droguar’. Sipas tij, pasuria kulturore e Shqipërisë është në rrezik të humbasë për shkak të partneriteteve shkatërruese dhe ndikimeve mafioze.
Në konferencën me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha ka prezantuar programin për artin dhe kulturën, duke theksuar se një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme do të jetë themelimi i një Ministrie të Posaçme për Kulturën. Ai ka garantuar se buxheti për kulturën do të dyfishohet dhe do të ndërmerren masa për lehtësimin e taksave mbi librin, për të mbështetur më shumë krijimin dhe përhapjen e librit shqiptar. Berisha ka theksuar gjithashtu se, pas 12 viteve në harresë, kultura dhe arti do të kenë një trajtim të ri dhe më të merituar, duke garantuar një reformë të thellë në sektorin e kulturës dhe artit. Berisha ka nënvizuar se krijimi i një ministrie të dedikuar për kulturën do të sigurojë një administrim më të fuqishëm, meritokratik dhe transparent të institucioneve kulturore. Po ashtu, Berisha ka premtuar një transformim rrënjësor të legjislacionit dhe mbështetje të plotë për artistët dhe krijuesit, duke i trajtuar ata si thelb të identitetit kombëtar shqiptar.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për gazetarët, premtoi rikthimin e Teatrit Kombëtar në vendin e tij të mëparshëm. Ai paralajmëroi sipërmarrësit që po ndërtojnë në truallin e teatrit se godina aktuale do të shembet për t’i lënë vendin një ndërtese identike me atë të mëparshme. Berisha akuzoi qeverinë për shkelje të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.
Lideri i demokratëve, premtoi gjithashtu mbështetje për kinematografinë dhe institucionet kulturore, duke premtuar financim për filmat shqiptarë dhe bashkëpunimet ndërkombëtare. Sipas tij, qeveria e ardhshme do të angazhohet për të ndryshuar kornizat ligjore dhe për të transformuar situatën dramatike të kulturës në vend. Berisha deklaroi se do të miratohet një status i veçantë për artistët dhe shkrimtarët, duke garantuar mbrojtjen e tyre sociale dhe ekonomike. Ai siguroi se qeveria e tij do të jetë një mbështetje e fuqishme për artin dhe kulturën, duke i rikthyer dinjitetin dhe perspektivën.
Kryedemokrati Sali Berisha ka njoftuar se, pas 11 majit, qeveria e Partisë Demokratike do të fillojë negociata të hapura dhe transparente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e tarifave. Ai theksoi se Shqipëria ka përfituar deri tani tarifa më të ulëta se vendet e tjera dhe se çështja e tarifave është një çështje globale që kërkon një qasje të balancuar dhe paanshme. Berisha u shpreh optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje që do të favorizonte prodhimin dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke nënvizuar rëndësinë e ‘Made in Albania’ si një drejtim strategjik për ekonominë e vendit. Ai gjithashtu shtoi se, në rast se fitojnë besimin e qytetarëve, negociatat do të jenë një prioritet i menjëhershëm pas 11 majit.
Në konferencën me gazetarët, Berisha ka shprehur qëndrimin e tij në lidhje me projektin për ndërtimin e një Biblioteke të Re Kombëtare, duke hedhur poshtë idenë e Edi Ramës për ndërtimin e një ‘kulle’ për këtë qëllim. Ai ka theksuar se Shqipëria ka nevojë për një bibliotekë moderne dhe funksionale, pasi infrastruktura aktuale është e kufizuar dhe nuk mund të mbështesë nevojat e rritura për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Berisha kritikoi rikonstruksionin e sheshit që solli përmbytjen e Bibliotekës Kombëtare dhe humbjen e mijëra vëllimeve të çmuara, duke kërkuar përgjegjësi për këtë dëm të madh. Ai garantoi se qeveria e ardhshme e PD-së do të ndërtojë një bibliotekë dinjitoze, por duke përjashtuar çdo ide për ndërtimin e kullave, që sipas tij, nuk janë të përshtatshme për funksionet e një institucioni të tillë.
Gjatë një konferencë shtypi nga selia e PD kreu demokrat Berisha ka komentuar edhe lajmin për hakerimin e adresave te e-mailit te prokurove të SPAK. ‘Shumë operacion i dyshimtë, të jemi të sinqertë, i dyshimtë aq sa ishin statuset në Facebook të Erion Veliajt. Ta ndjekin’. ‘Një gjë mund të ju them, që qytetarët po kuptojnë çdo ditë e më shumë kontrollin fatal të drejtësisë nga Edi Rama, kjo është e vërtetë dhe për ne kjo ka rëndësi’, the lideri i opozitës.
Lideri i opozitës Sali Berisha, ka denoncuar në një konferencë për gazetarët manipulimin e provave të krimit që bën policia. Sipas tij, në 83% të rasteve, dosjet nuk dorëzohen në prokurori, duke dëshmuar një bllokim të qëllimshëm të drejtësisë nga qeveria. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për urdhërimin e këtij mekanizmi, duke ndaluar institucionet të bashkëpunojnë me prokurorinë. Ai sulmoi ashpër drejtuesit e policisë, duke i cilësuar si mbrojtës të krimit dhe përgjegjës për fshehjen e dosjeve. Sipas tij, ministri i Brendshëm dhe zyrtarë të tjerë janë vënë në shërbim të manipulimeve politike. Berisha ngriti shqetësimin se kriminaliteti është në rritje, ndërsa shteti po bllokon hetimet për interesa të pushtetit. Ai akuzoi edhe drejtorin e Policisë së Shtetit, duke e quajtur ‘Ilir Matrixin’, që sipas tij është vendosur aty për të mbrojtur krimin dhe për të fshehur dosjet.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e quajtur atë ‘meme e gjallë’, për mashtrimet dhe trillimet që sipas tij kanë tejkaluar çdo kufi. Në daljen për media këtë të enjte, ai theksoi se Partia Demokratike ka qenë lokomotiva e proceseve integruese të Shqipërisë që nga vitit 1992, duke përmendur realizime të rëndësishme si anëtarësimi në NATO, heqjen e vizave dhe marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Berisha e akuzoi Ramën për vonesat në procesin e negociatave me Bashkimin Europian dhe theksoi se misioni i integrimit do të realizohet nga qeveria e PD-së, duke siguruar qytetarët se ky proces do të bazohen në merita dhe transparencë.

FJALA E PLOTE:
Dua të shpreh ngushëllimet e mia për të ndjera familjes Xhepa, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë artdashësve të Shqipërisë, pasi sot u nda nga jeta artistja më përfaqësuese e skenës shqiptare në disa dekada, Margarita Xhepa.
Margarita Xhepa është një artistë e papërsëritshme që shndriti në dhjetëra dhe qindra role në skenën e teatrit dhe në film.
Me një talent të rrallë.
Me një forcë interpretimi të jashtëzakonshëm.
Ajo mbeti gjithnjë një nga artistet më të dashura, më të çmuara të Shqipërisë.
Ndaj me këtë rast, duke ndarë dhimbjen dhe zinë me familjen Xhepa, me të gjithë miqtë dhe të afërmit e të ndjerës Margarita Xhepa, me të gjithë artdashësit që e kanë dashur, vlerësuar dhe çmuar kaq shumë, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje në nderim të kujtimit të saj.
Sot para jush do të paraqes vizionin dhe programin e PD për kulturën.
Situata e kulturës shqiptare është më keq se në çdo pushtim që mund të ketë pasur Shqipëria.
Mafia politike në pushtet, për arsye mafioze dhe antishqiptare, ka shkatërruar të gjithë infrastrukturën që ekzistonte dhe që ekziston në çdo kryeqytet të botës për artin dhe kulturën, përveç teatrit të operës dhe baletit.
Rrafshimi i teatrit kombëtar në një akt genocidal ndaj kulturës kombëtare, i njëjti fat me kinematë, me teatrot e fëmijëve dhe institucione të tjera të kulturës, janë dëshmi e qëndrimit përçmues të narkoeksponentëve ndaj kulturës shqiptare.
Buxheti për kulturën është buxheti më qesharak.
Trashëgimia kulturore është objekt agresioni barbar të gjithanshëm nga mafia shqiptare dhe ndërkombëtare.
Shqipëria është një nga vendet më të pasura në botë në trashëgiminë kulturore. Ajo po përfundon në partneritetet mafioze dhe shkatërrimtare për këtë pasuri.
Artistët janë sot njerëzit më të braktisur, më të pambështetur.
Jeta artistike në kryeqendrat tonë është pothuaj inekzistente.
Aktivitete të përvitshme, në të cilat piktorë dhe skulptorë, njerëz të arteve pamore, paraqisnin krijimet e tyre, nuk ekzistojnë më.
Galeria e arteve u dyllos pa një aktivitet.
Në Shqipëri flitet për artin vetëm për shkarravinat e Edi Ramës, të cilat nuk panë kurrë dritë para se ai të bëhej kryeministër.
Mos harroni se në aktin e parë, pasi mori kryeministrinë, ai u paraqit në bienalen e Venecias duke shfrytëzuar postin dhe aty mori damkën nga kritikë të shquar të artit, vlerësimin si shkarravina të një adoleshenti të droguar.
Po, janë dy gazetarë të famshëm italianë që bënë këtë vlerësim për Edi Ramën.
Dhe përfaqësim më në artin kontemporan nga artistë shqiptarë nuk dëgjon sepse nuk kanë këtu asnjë lloj mbështetje, asnjë lloj mundësie, megjithëse ka midis tyre talente të mëdha, talente të vërteta.
Për të gjitha këto, PD zotohet t’i kushtojë një rëndësi parësore artit dhe kulturës si elementë më thelbësorë të identitetit tonë kombëtar.
Ne shqiptarët, një komb plurireligjioz, në rast se të tjerët kanë identitet besimin fetar, ne identitet kombëtar kemi kulturën dhe gjuhën,
Dhe nuk është e rastit që kjo shpërfillje e madhe që i bëhet kulturës dhe artit, të kenë prapamendim, të ketë synim pikërisht identitetin kombëtar.
Ndaj dhe jam këtu për të garantuar artistët dhe të gjithë botën e artit dhe të kulturës, se qeveria e ardhshme do të adaptojë një qëndrim totalisht transformues të kësaj situate.
Së pari, kultura do ketë ministrinë e vet. Kultura është në gjendje e imagjinoni vetë ju. Një ministër antikulture që bën betejë me trashëgiminë, me kulturën e vendit.
Pra, do ketë një ministri kulture me misionin më të rëndësishëm të zhvillimit, konsolidimit të mbrojtjes të kulturës kombëtare.
Drejtuesit e institucioneve kulturore do të zgjidhen nga vetë punonjësit. Do të jenë më të mirët e më të mirëve.
Imagjinoni ju se çfarë batërdie është bërë me drejtimet. Merrni operën dhe baletin sa herë ia ka ndryshuar drejtuesit. Të gjitha në funksion të parave.
Arti dhe kultura kanë nevojë urgjente për një transparencë të plotë për të gjitha fondet. Dhe i garantoj se borde që vendosin transparencë të plotë do funksionojnë menjëherë pas 11 majit.
Meritokracia dhe nxjerrja e këtij sektori jashtë konfliktit të interesit, do jenë bazë e reformës.
Reforma në sistemin e arteve dhe të kulturës duhet të angazhohet në një reformë të thellë të burimeve të financimeve të këtij sektori.
Qeveria do rrisë kontributin, do dyfishojë buxhetin për kulturën dhe artin.
Kjo nuk mjafton.
Qeveria do të mundësojë me ligjet më të mira të sponsorizimit kontributin e sektorit privat në sponsorizimin e veprimtarive private, kulturore dhe artistike.
Qeveria angazhohet për një bashkëpunim kombëtar. Pra, kultura është çështje e identitetit kombëtar.
Qeveria angazhohet të mbështesë artistët dhe njerëzit e kulturës, të letrave, të librit, shqiptarët kudo që ndodhen.
Një transformim rrënjësor i legjislacionit në fushën e artit, kulturës dhe librit.
Ju nuk mund të imagjinoni taksat që janë të vendosura mbi librin, të cilat e largojnë me kilometra librin nga lexuesi për shkak të çmimeve të larta që imponojnë.
Rikthimi i detyrueshëm për të gjitha bibliotekat publike për të pasur librat që publikohen të autorëve shqiptarë, por edhe të autorëve të huaj.
Një përpjekje e madhe do bëhet për promovimin e librit, i cili po syrgjynoset. Nuk ka asnjë mbështetje, përkundrazi ka vetëm barriera të mëdha fiskale dhe të tjera.
Arti skenik dhe kinemaja.
Ne angazhohemi të ndërtojmë Teatrin kombëtar siç ishte, aty ku ishte.
Ne paralajmërojmë sipërmarrësin që në kundërshtim me Kushtetutën, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, zbaton një marrëveshje të bërë me kryemafiozë.
Ajo tokë është tokë e Teatrit Kombëtar.
Sado kate që të ngresh ti aty, ato do bëhen të paqena sepse aty do ndërtohet teatri siç ishte. Centimetër për centimetër,
Ndaj dhe ke ndarë para me Edi Ramën apo Erion Veliajn, është puna jote.
Po truallin e teatrit nuk do ta gëzosh. Je i nderuar, në kundërshtim me ligjet e vendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Qeveria angazhohet të mbështesë diversitetin kulturor të minorancave. Ato janë një pasuri kombëtare.
Do të sponsorizojë Albfilmin, filmin shqiptar dhe bashkëpunimin e tij ndërkombëtar.
Ne konsiderojmë dimensionin e kulturës si ndër më kryesorët për integrimin e Shqipërisë në BE.
Kultura është ID evropiane e kombit tonë ndaj dhe ne me këtë dimension do përqasemi drejt Europës me dinjitet.
Institucionet e tjera kulturore, instituti i monumenteve të kulturës, do të mbështetet fuqimisht.
Kornizat ligjore do ndryshojnë.
Pra, në një hark kohor të shkurtër ne do bëjmë gjithçka për transformimin ligjor, institucional, financiar të situatës dramatike në të cilën është kultura shqiptare.
Statusi i artistit. A e dini ju se sot ka artistë që nuk e kanë të sigurt pensionin se nuk u kanë paguar sigurimet shoqërore? Merr fund. Do ketë një status për artistin dhe shkrimtarin dhe do bëhet gjithçka që roli i tyre në shoqëri të jetë një rol i merituar.
Kjo ishin disa nga çështjet kryesore që desha sot të paraqes para shqiptarëve dhe të garantoj botën e artit dhe kulturës se qeveria e ardhshme do jetë një mbështetje e fuqishme e tyre.
Do i kthejë artit dhe kulturës, dinjitetin, shpresën dhe perspektivën.