Protestat antiqeveritare në Serbi vijuan edhe gjatë mbrëmjes së djeshme në disa qytete të vendit, në Valjevë, Obrenovac, Sremska Mitrovica, por edhe në Beograd, ku tubimi ishte planifikuar pas një pushimi një ditor.
Gjatë protestës në Beograd, demonstruesit shkatërruan ambientet e Partisë Progresive Serbe (SNS) në Palilula dhe në Zemun, ndërsa pasi policia i largoi, në njërën prej tyre shkoi edhe presidenti Vuçiç.
Protestat vazhduan edhe sot. Në Novi Sad, demonstruesit bllokuan Pallatin e Drejtësisë në shenjë proteste për arrestimet. Bllokada filloi pas orës 6:00 të mëngjesit dhe studentët deklaruan se ishte një akt rezistence “kundër arrestimeve të pabaza dhe dhunës ligjore që po kryhet këto ditë kundër kolegëve dhe miqve tanë”.
Një protestë në Beograd po mbahet sot edhe për një studente që pretendon se ishte ngacmuar nga zyrtarë policorë.
“Kush na mbron nga policia”, “Dhuna ndaj grave është krim i shtetit”, “Nuk dua sprej me piper, dua që policia dhe ligji të më mbrojnë”, ishin disa nga pankartat që mbanin në duar.
Ndërkohë, Aleksandër Vuçiç ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare, e cila kryesohet nga vetë Presidenti serb, ndërsa marrin pjesë Kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç, Kryeministri Duro Macut, Ministri i Mbrojtjes, Drejtori i BIA-s, Ministri i Punëve të Brendshme si dhe krerët më të lartë të autoriteteve policore e gjyqësore.