back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025
spot_img
KreuAktualitetBrenda milicisë së Gazës të armatosur nga qeveria izraelite/ Një histori terrori,...

Brenda milicisë së Gazës të armatosur nga qeveria izraelite/ Një histori terrori, lidhjesh me ISIS-in dhe sulmesh ndaj IDF-së

Pasi Izraeli konfirmoi se po armatoste një milici palestineze që vepronte kundër Hamasit në Gazën jugore, të udhëhequr nga banori i Rafahut, Yasser Abu Shabab, kanë dalë në dritë hollësi shqetësuese rreth anëtarëve të saj, veprimtarive të kaluara dhe të tashme dhe lidhjeve me grupet terroriste ekstremiste.

Abu Shabab, një burrë në të 30-at nga një familje e varfër beduine në Rafahun lindor, themeloi atë që njihet në vend si “Forcat Popullore”. Sipas burimeve të njohura me milicinë që folën me Ynet, grupi nuk është i përfshirë thjesht në luftën kundër Hamasit.

Është një organizatë e armatosur rëndë me një histori veprimtarie terroriste kundër Izraelit, lidhje me ISIS-in dhe një të kaluar kriminale.

E kaluara kriminale – e tashmja ushtarake

Sipas burimeve pranë udhëheqësit të milicisë, Abu Shabab e la shkollën në moshë të re dhe u përfshi në trafikun e drogës, kryesisht duke u marrë me hashash dhe pilula psikoaktive. Më vonë ai filloi punë “duke ruajtur kamionë me ndihmë humanitare” që hynin në Gaza, një rol që thuhet se e shfrytëzoi për të vjedhur mallra dhe për t’u angazhuar në plaçkitje sistematike.

Abu Shabab thuhet se ofroi “shërbime sigurie” për karvanët e ndihmës të operuara nga Kryqi i Kuq, UNRËA dhe Kombet e Bashkuara – por në praktikë, dyshohet se ka shitur mallra që mori përmes këtyre roleve. Një burim i OKB-së i tha Ynet se emri i tij u shfaq në një memo të brendshme që e identifikonte atë si përgjegjës për plaçkitjen në shkallë të gjerë të ndihmës humanitare që hynte në Rripin e Gazës.

Rreth 300 banorë të armatosur të Gazës, disa prej të cilëve ish-të burgosur të liruar nga burgjet e drejtuara nga Hamasi, tani janë të lidhur me forcën e Abu Shabab. Rreth 30 familje në Rafahun lindor konsiderohen mbështetëse të tij. Për momentin, ato gëzojnë mbrojtje relative: IDF vepron në zonë, duke kufizuar mundësinë e sulmeve ajrore dhe prania e tyre gjithashtu i mbron familjet nga hakmarrja e mundshme e Hamasit.

Edhe pse milicia portretizohet si kundërshtare e Hamasit, anëtarët e saj thuhet se kanë marrë pjesë në sulmet me raketa kundër Izraelit dhe mbajnë kontakte me bashkëpunëtorët e ISIS-it. Një bashkëpunëtor i ngushtë i Abu Shabab i tha Ynet: “Ne po mbështetemi te popullit të ngrihet kundër Hamasit. Ne kemi mbështetje të gjerë. Abu Shabab shihet si një hero që nuk i frikësohet askujt.”

Lidhjet me ISIS-in dhe bashkëpunëtorët e rrëmbimit të Shalit

Ndër figurat më të shquara në milicinë e armatosur është Issam Nabahin, 33 vjeç, nga kampi i refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore, i cili më parë luftoi me ISIS-in në Sinai kundër ushtrisë egjiptiane.

Nabahin u kthye në Gaza pak para se të fillonte lufta më 7 tetor 2023 dhe u dokumentua duke lëshuar raketa drejt Izraelit pa lejen e Hamasit. Sipas burimeve, ai u dënua me vdekje, por arriti të arratisej nga burgu ditën e parë të luftës.

Një tjetër anëtar i milicisë, Ghassan al-Dheini – vëllai i Ëalid al-Dheini, një operativ i ISIS-it i vrarë nga Hamasi – ishte i përfshirë në rrëmbimin e ushtarit izraelit Gilad Shalit në vitin 2006 dhe tani vepron brenda milicisë së re, pavarësisht se zyrtarisht është i lidhur me Fatahun.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë vijimësisht se nuk do ketë “Fatahstan” në Gaza. Megjithatë, burimet e Autoritetit Palestinez raportojnë se milicia e Abu Shabab merr paga përmes Autoritetit Palestinez, nën patronazhin personal të zyrtarit të lartë të inteligjencës me bazë në Gaza, Bahaa Balusha.

Burimet shtuan se ekzistojnë tensione midis Balushës dhe shefit të Inteligjencës së Përgjithshme, Majed Faraj, mbi shkallën e mbështetjes për milicinë. Sipas burimeve të njohura me çështjen, dy milicitë shtesë pritet të bëhen aktive së shpejti – një në Beit Lahia në Gazën veriore dhe një tjetër në Gazën qendrore.

“Në praktikë, kjo është një forcë e armatosur e mbështetur njëkohësisht nga Izraeli, Autoriteti Palestinez dhe ish-zyrtari i lartë i Fatahut, Mohammed Dahlan, ndërsa vepron hapur kundër Hamasit”, tha për Ynet një zyrtar i lartë palestinez i sigurisë.

Edhe pse familja e Abu Shabab është publikisht kundër Hamasit dhe perceptohet si e lidhur me Fatahun, ajo ishte e përfshirë në sulmin vdekjeprurës të vitit 2004 në Rafah, i njohur si pjesë e “katastrofës APC”, një palë sulmesh në të cilat u vranë 13 ushtarë të IDF-së, përfshirë shtatë në Rafah.

Në nëntor 2024, Abu Shabab i mbijetoi një atentati në Spitalin Evropian në Khan Younis. Dy nga bashkëpunëtorët e tij, vëllai i tij Fathi Abu Shabab dhe Majed Abu Dakkar, u vranë në një pritë të Hamasit, por ai arriti të arratisej.

Armatosja e milicisë së Abu Shabab nga Izraeli u zbulua për herë të parë javën e kaluar nga Kryetari i Partisë Yisrael Beitenu, Avigdor Liberman. Pas raportit, censurat ushtarake lejuan publikimin e disa informacioneve.

Kryeministri Netanyahu më vonë e trajtoi çështjen, duke konfirmuar se masa ishte ndërmarrë me këshillën e zyrtarëve të sigurisë.

“Çfarë ka të keqe me këtë?” tha Netanyahu.

“Është një gjë e mirë. Shpëton jetën e ushtarëve të IDF.”

Ai kritikoi zbulimin e Liberman, duke thënë se “ndihmoi vetëm Hamasin” dhe e quajti atë “një çështje shumë serioze”.

Ynet – Përgatiti për Hashtagal, Klodian Manjani

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat