Në raportin përfundimtar mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Misioni i OSBE-ODIHR ka vënë në dukje përdorimin e gjuhës së ashpër dhe sulmeve personale mes drejtuesve të partive kryesore gjatë fushatës zgjedhore.
Raporti dokumenton përdorimin e epiteteve dhe deklaratave fyese nga liderët politikë, që sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, kanë ndikuar në polarizimin e mjedisit politik dhe diskursin publik.
“Z. Rama e quajti vazhdimisht kundërshtarin e tij, z. Berishën, një ‘buf kënete’, dhe udhëheqës të tjerë të opozitës si ‘krijesa kënete’. Z. Berisha, nga ana tjetër, e quajti z. Rama ‘Antikrisht’, një ‘përbindësh’ dhe qeverinë si ‘narkodiktaturë’. Agron Shehaj, kreu i Partisë së Mundësive, akuzoi Adriatik Lapajn, kreun e Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’, se kishte përfituar nga marrëveshje të brendshme si avokat. Në përgjigje të këtyre akuzave, z. Lapaj ngriti një padi për shpifje,” – thuhet në raport.
Sulme personale dhe polarizim politik
Raporti thekson se përdorimi i këtij diskursi të ashpër dhe sulmues nga liderët politikë, përveçse ndikoi në klimën e fushatës, redukti mundësinë e debatit të qetë dhe të informuar midis votuesve. Vëzhguesit ndërkombëtarë vënë në dukje se gjuha fyese është një faktor që rrit tensionet dhe polarizimin mes forcave politike.
OSBE-ODIHR nënvizon nevojën që partitë të shmangin retorikën e dhunshme dhe fyerjet personale në të ardhmen, për të garantuar një proces zgjedhor më të qetë dhe të drejtë, ku garuesit të kenë kushte të barabarta dhe votuesit mund të marrin vendime të informuara.



