Në prezantimin e projektbuxhetit për vitin 2025 për arsimin dhe sportin në Komisionin për Ekonominë dhe Financave si dhe në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, deklaroi se buxheti i parashikuar për 2025 është më i larti historik për arsimin dhe sportin, duke reflektuar prioritetin strategjik të qeverisë për përmirësimin cilësor dhe gjithëpërfshirës të sektorit.
“Buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për vitin 2025 arrin në 62 miliardë e 20 milionë lekë, me një rritje prej 18.8% krahasuar me vitin 2024. Ky buxhet është më i larti historik për arsimin, një angazhim konkret për të garantuar pagat e rritura. Ai siguron investime të reja dhe në vazhdim për infrastrukturën arsimore dhe digjitale, financim të programeve të arsimit të lartë, ndërkombëtarizimin dhe kërkimin shkencor. Ky buxhet mbështet nxënësit dhe studentët, si dhe financon programet sportive dhe promovimin e sportit si një motor zhvillimi për vendin,” tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ministrja Manastirliu shtoi se me këtë buxheti 2025 garanton edhe financimin e trajnimeve për 16 mijë mësuesve në lëndët e Gjuhës Shqipe, Teknologjisë së Informacionit dhe Shkencave, duke forcuar cilësinë e mësimdhënies në vend.
Gjithashtu, buxheti parashikon 5.3 miliardë lekë për investime në infrastrukturë dhe digjitalizim, që do të përdoren për ndërtimin dhe rehabilitimin e shkollave, pajisjen me laboratorë digjitalë dhe modernizimin e bibliotekave shkollore. Për tekstet shkollore falas, janë alokuar 3.1 miliardë lekë, duke garantuar libra falas për 238 mijë nxënës. Me 1 miliard e 260 milionë lekë në vit do të mbulohen shpenzimet e transportit për 38 mijë nxënës dhe për 12 mijë mësues që mësojnë dhe punojnë larg vendbanimit të tyre. Mbështetja për nxënësit që ndjekin shkollën dhe kanë pamundësi ekonomike e sociale do të rritet me një financim prej 280 milionë lekësh, për rreth 3,800 nxënës me nevoja të veçanta dhe ata që konsiderohen në risk, në bashkëpunim me pushtetin vendor.
Një pjesë e rëndësishme e buxhetit është alokuar për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.
“Për vitin 2025, buxheti për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor arrin në 14 miliardë e 521 milionë lekë. Ky buxhet për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor synon të fuqizojë universitetet tona dhe të përgatitë Shqipërinë për sfidat globale, duke vendosur fokusin te cilësia dhe ndërkombëtarizimi. Një nga projektet më ambicioze mbetet ndërtimi i Kampusit të Kolegjit të Evropës, i cili do të forcojë rolin e Shqipërisë në arsimin ndërkombëtar. Paralelisht, mbështesim marrëveshjet ndërinstitucionale si ajo e Universitetit Bujqësor të Tiranës me BOKU të Vjenës, dhe projekte të tjera të cilat i japin një dimension të ri universiteteve tona,” tha Manastirliu duke nënvizuar se buxheti 2025 për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor ka fokus ndërkombëtarizimin e universiteteve, përmes projekteve të përbashkëta, diplomave të dyfishta dhe kërkimit shkencor. Ndërkohë, për kërkimin shkencor buxheti parashikon një financim prej 1 miliard e 491 milionë lekë për të mbështetur projekte kërkimore dhe bashkëpunime ndërkombëtare si programi HorizonEurope.
Ministria e Arsimit dhe Sportit me mbështetjen për arsimin e lartë garanton gjithashtu edhe financimin për studentët dhe stafet akademike.
Gjithashtu, buxheti për sportin është rritur me 10%, duke arritur në 632 milionë lekë. “Mbështetja për sportin, sidomos në shkolla, do të vijojë të jetë një prioritet, me fokus në zgjerimin e ekipeve sportive dhe ndërtimin e infrastrukturës moderne,” u shpreh Manastirliu.
Ministrja përmbylli fjalën e saj duke theksuar se me buxhetin 2025 për arsimin dhe sportin garantohet më shumë cilësi, akses dhe gjithëpërfshirje për nxënësit dhe studentët në mbarë vendin.