Kreu i LZHK-së, deputeti Dashamir Shehi, duke folur në News24 tha se viti që po mbyllet (2024) ishte një vit i vështirë për opozitën, ndërsa shtoi se tashmë kemi një element pozitiv që PD tashmë ka vulën dhe Sali Berisha nuk është më në masën e ‘arrestit’.
Shehi theksoi se rëndësishme është që zgjedhjet e 11 majit të zhvillohen në mënyrë të qetë, demokrate, që mos vidhen.
“Ka një të mirë që në Tiranë do të kemi votim elektronik që i shërben opozitës. Unë jam optimist për pozitën sepse kjo qeveri e ka trashur zullumin”, tha Shehi.
Sipas tij, janë disa gjëra që mund të ndikojnë në procesin zgjedhor, që nga paraja publike, te presionet, sistemi i patronazhistëve, kemi bandat, të cilat janë reduktuar si pasojë e luftës së SPAK, por mendoj se do të kenë sërish ndikim në disa zona.
Duke folur për opozitës, Shehi tha se fatkeqësisht brenda PD ka dominuar grupi i radikalëve, të cilët nuk kanë fantazi për të bërë gjëra të tjera veç mënyrës se si i organizojnë protestat.
“PD ka me mijëra djem e vajza dhe me dhjetra deputetë që janë të një linje pozitive. Unë jam optimist për zgjedhjet, unë gjykoj qeverinë se çfarë është bërë mirë dhe çfarë është bërë keq dhe s’kam ndërmend të merrem me sherrnajen e brendshme në opozitë”, tha Shehi.