Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Verës, për të diskutuar mundësitë konkrete të mbështetjes së sektorit të vreshtarisë dhe verës shqiptare, një trashëgimi brezash e trashëguar me pasion.
Denaj tha se sektori do të përfshihet në Skemën Kombëtare të Investimeve për periudhën 2025–2026, me synim rritjen e sipërfaqeve të mbjella me rrush, instalimin e sistemeve moderne të ujitjes me pika dhe mbështetje të gjerë për agropërpunimin e produkteve të verës.
“Skema do të financojë linjat dhe pajisjet për përpunimin, seleksionimin, paketimin dhe etiketimin e rrushit dhe verës, duke ndihmuar në rritjen e standardeve dhe konkurrueshmërisë së verës shqiptare në tregun vendas dhe të huaj,” u shpreh Denaj.
Ministrja bëri të ditur se pjesë e kësaj mbështetjeje do të jenë edhe dy instrumente financiare lehtësuese: Kredia e Butë dhe Garancia Sovrane, që ofrojnë kredi me interes vetëm 2% dhe mbulim kolaterali deri në 70% për bizneset.
“Vera shqiptare është një aset i ekonomisë rurale dhe duhet të kthehet në ambasador të bujqësisë sonë cilësore,” tha ministrja, duke vënë në dukje potencialin e madh të sektorit në krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik të zonave rurale.