Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) ka ndaluar hyrjen në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” për deputetin e Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, pas incidenteve të ndodhura këtë të hënë gjatë procesit të rinumërimit të votave.
Shkak për përjashtimin e tij u bë një përplasje verbale e fortë me anëtarët e KAS, ku Dogjani reagoi me tone të ashpra lidhur me pavlefshmërinë e një vote që sipas tij i takonte. Pas incidentit, KAS firmosi një shkresë zyrtare që i ndalon hyrjen në ambientet e procesit deri në përfundimin e rinumërimit.
Por deputeti demokrat sfidoi vendimin dhe u rikthye sërish në sallën e rinumërimit. Ndërhyrja e policisë u bë e pashmangshme, për të zbatuar urdhrin e KAS dhe për të larguar Dogjanin nga ambientet ku po zhvillohet procesi.
Ngjarja ka shtuar tensionet në procesin e ndjeshëm të rinumërimit në qarkun e Tiranës, ndërsa pritet reagimi zyrtar i Partisë Demokratike dhe vetë Dogjanit pas ndalimit të pjesëmarrjes së tij.