Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë. Ai e ka cilësuar këtë ngjarje si më të rëndën në 35 vite demokraci, duke theksuar se ekzekutimi i një gjyqtari në detyrë është goditje fatale ndaj drejtësisë dhe demokracisë në vend.
Bardhi akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama për krijimin e klimës së vetëgjyqësisë, duke theksuar se sulmet e hapura ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve për vendimet që nuk i kanë pëlqyer pushtetit, kanë nxitur mosbesim dhe revoltë ndaj sistemit të drejtësisë.
“Sot është dita për të theksuar me zë të lartë që vetëgjyqësia ndaj vendimeve gjyqësore, që ka nisur nga sulmet e hapura të Kryeministrit ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve për vendimet që nuk i pëlqejnë, nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Nxitja për vetëgjyqësi është po aq e dënueshme sa edhe vrasja e një gjyqtari në krye të detyrës”, u shpreh Bardhi.
Kreu i grupit të PD kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Brendshëm Albana Koçiu dhe ministrit të Drejtësisë Besfort Lamallari, duke i konsideruar përgjegjës për dështimin në garantimin e sigurisë në institucionet e drejtësisë.
“Ministri i Drejtësisë dhe Ministri i Brendshëm duhet të japin urgjentisht dorëheqjen, si akt përgjegjësie për dështimin në garantimin e sigurisë së profesionistëve të drejtësisë në vendin e tyre të punës. Ky është rasti i parë në historinë e 35 viteve, ku një gjyqtar qëllohet vetëm se guxon të japë vendim sipas ligjit dhe ndërgjegjes së tij”, theksoi Bardhi.
Sipas tij, kjo ngjarje e rëndë duhet të shërbejë si moment reflektimi për të gjithë shoqërinë shqiptare, ndërsa theksoi se pa një drejtësi të lirë dhe të mbrojtur nuk mund të ketë demokraci dhe shtet ligjor.