Ka dalë në dritë drafti ( FINAL PROJEKLIGJ Per Financimin E Partive Politike) i përbashkët i ekspertëve të dy partive kryesore në vend, i cili synon të rregullojë më qartë dhe me kufizime të forta financimin e partive politike.
Sipas dokumentit, parashikohen limite të përcaktuara për kontributet financiare që mund të përfitojnë partitë. Konkretisht, çdo shtetas shqiptar do të mund të kontribuojë deri në 200,000 lekë në vit, ndërsa personat fizikë të regjistruar në organet tatimore deri në 500,000 lekë në vit. Për personat juridikë, kufiri maksimal i financimit është vendosur në 1,000,000 lekë në vit.
Një tjetër element i rëndësishëm i draftit lidhet me transparencën financiare. Çdo dhurim mbi 50,000 lekë do të duhet të kryhet detyrimisht përmes sistemit bankar, duke synuar reduktimin e financimeve informale dhe rritjen e gjurmueshmërisë së parave.
Burime bëjnë me dije se drafti do të bëhet publik për konsultim, përpara se të ndjekë procedurat ligjore për miratim në Kuvend.
Nisma shihet si një përpjekje për të rritur kontrollin mbi financat politike dhe për të forcuar standardet e transparencës në jetën publike.



