Kandidatët për deputetë në Partinë Demokratike do të zgjidhen nëpërmjetë Primareve.
Konfirmimi ka ardhur nga kreu i PD-së, Sali Berisha.
“Ka procedurë statusore. Do përcaktohet nëpërmjet primareve”, ka thënë Berisha, gjatë konferencës për shtyp, paraditen e sotme.
Më tej Berisha ka thënë se PD po vazhdon takimet me diasporën.
“PD po vazhdon me takime. D.m.th janë bërë takime në Itali, po organizohen takime të tjera dhe do vazhdojnë. Problemi më kryesor është identifikimi.
Takimet shërbejnë, por shërben mbi të gjitha identifikimi në vend, në zona, në banesa, në blloqe, në lagje i emigrantëve krahasuar me listat e votimit.
Po punohet në këtë drejtim.
A do shkoj unë, sigurisht do shkoj, cila do jetë koha, këtë nuk e kam përcaktuar se duhet të zgjedh një kohë kur të shkoj.
Do të shkoj kur ta gjykoj se është koha më optimale për efekt elektoral”, është shprehur Berisha.
Sipas Berishës, motorët janë ndezur dhe angazhimi është maksimal.
“Jo, punojnë edhe të tjerët. Mendoj se motorët janë të ndezur. Por nga ana tjetër, ka edhe që po marrin energjinë e nevojshme për sulm. Kështu që nuk është se jam vetëm unë në punë, se tani komunikohet në shumë forma dhe angazhimi është shumë serioz”, ka thënë Berisha.
Berisha është i bindur për fitoren e 11 majit.
Sipas tij, me votën e shqiptarëve me 11 maj do të firmoset një kontratë e re me çdo qytetar.
“Një përshëndetje të përzemërt edhe njëherë për qytetarët.
I garantoj se PD po vazhdon me intensitet përpunimin e programit të saj, me të cilin ata nuk do jenë më të skajuar për të ardhurat dhe fondet e buxhetit, por do jenë në epiqendër për një shpërndarje të re në mënyrë që të jenë përfitues kryesor, siç janë në çdo vend të lirë dhe demokratik.
Vetëm në diktatura, buxhetet dhe pasuritë kombëtare shkojnë për diktatorin, ose në pushtime shkojnë për pushtuesin dhe suitën e tyre.
Ky është zotimi ynë për këtë vit të ri dhe ne do i përmbahemi atij.
Me votën e shqiptarëve me 11 maj firmosim një kontratë të re me çdo qytetar shqiptar, një kontratë e cila do të ndikojë pozitivisht dhe konkretisht në jetën e mbarë shqiptarëve”, ka deklaruar Berisha.