Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin A.M., i akuzuar për vrasjen e një efektivi të Policisë së Shtetit në muajin maj të këtij viti.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz të Njësisë Administrative Dërmenas, Bashkia Fier. Sipas dosjes hetimore, i pandehuri A.M. po drejtonte automjetin e tij me shpejtësi dhe u fut në kthesë pa kontrolluar rrugën, duke rrezikuar përdoruesit e tjerë.
Polici i Forcave Speciale “Shqiponja”, N.C., i cili ndodhej në mjetin e tij dhe kishte veshur uniformën zyrtare, i tërhoqi vëmendjen për mënyrën e drejtimit të automjetit. Në atë moment, A.M. ndaloi makinën, zbriti me një çantë në dorë ku mbante armën, dhe u drejtua nga makina e viktimës.
Pa e zbritur ende nga automjeti, viktima u qëllua në fytyrë nga një pistoletë e mbajtur pa leje, duke humbur jetën në vend.
Në përfundim të gjykimit, Prokuroria kërkoi:
Dënimin me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, neni 79/b i Kodit Penal;
Dënimin me 7 vjet burgim për “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”, neni 278/1 i Kodit Penal;
Dënimin me 6 muaj burgim për “Drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt”, neni 291 i Kodit Penal;
Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një të vetëm: burgim të përjetshëm.
Prokuroria e Fierit deklaroi se do të vijojë me përkushtim hetimet për çdo rast të dhunës ndaj efektivëve të Policisë apo krimeve kundër jetës, duke theksuar angazhimin për vendosjen e drejtësisë pa vonesa.