Kryetari i Nismës Thurje, Endri Shabani, ka reaguar sot në mënyrë publike përmes një postimi në rrjete sociale, lidhur me debatin që ka shpërthyer pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve dhe mandatit të vetëm të fituar nga koalicioni me Adriatik Lapajn.
Në qendër të debatit është vënë çështja e dorëheqjes së kandidatëve të listës së fiksuar, të cilët paraprakisht kishin dhënë fjalën se do të tërhiqeshin në favor të atyre të listës së hapur, nëse fitonin mandate.
Shabani thekson se zotimi për dorëheqje nuk ishte pjesë e marrëveshjes ligjore, por ishte një zotim moral, një fjalë e dhënë, që sipas tij, për shqiptarët ka qenë më e fortë se çdo firmë.
“Në marrëveshjen e nënshkruar nuk thuhet askund që kandidatët e listës së fiksuar janë të detyruar të japin dorëheqjen. As për Zeqirin, as për ndonjë tjetër. Por është fakt që 46 kandidatë dhanë fjalën se do të dorëhiqeshin – për t’ua hapur rrugën atyre të listës së hapur,” shkruan Shabani.
Ai kritikon standardin e dyfishtë që po aplikohet, duke pyetur pse i kërkohet dorëheqja Besart Zeqirit (kandidatit që doli fitues), por jo vetë Adriatik Lapajt, i cili po ashtu kishte bërë një zotim publik për dorëheqje nëse do të zgjidhej përmes listës së fiksuar.
“Nëse kryetari nuk mban fjalën i pari, me ç’të drejtë kërkon nga të tjerët që ta mbajnë të tyren?”, pyet ai në fund.
Shabani ka publikuar gjithashtu dhe tekstin e marrëveshjes mes Nismës Thurje dhe Aleancës për Ndryshim, duke ftuar publikun të gjykojë vetë mbi përmbajtjen e saj.