Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka shpërthyer sot në sulme gjatë seancës gjyqësore për masakrën e Gërdecit, ku mbetën të vrarë 26 persona, përfshirë edhe fëmijë. Mediu sulmoi hapur avokatin e familjes Durda, Dorjan Matlia, duke e akuzuar se paguhet nga Soros, përmes qendrës “Respublika”, një institucion që sipas tij financohet nga Sorosi.
“Kjo zyrë është ngritur me fondet e Soros, është fakt. Me gjithë respektin për familjarët, ne këtë proces nuk mund të kemi dy prokurori,” tha Mediu në sallë, duke u përpjekur të delegjitimojë përfaqësimin ligjor të viktimave.
Por, Geraldo Durda, djali i njërit prej viktimave, i kërkoi Mediut të largohet nga politika dhe të përballet me drejtësinë:
“Ta ka dhënë përgjigjen gjykata e Strasburgut, lëre mandatin e deputetit dhe përballe me gjykatën,” tha ai.
Mediu gjithashtu ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, argument që trazoji edhe më shumë seancën.
Komentet dhe sulmet e Mediut janë parë si përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për një nga tragjeditë më të rënda industriale në Shqipëri, ndërkohë që familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi të plotë.



