back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 3 Shkurt, 2025
spot_img
KreuAktualitetKosovaFinancial Times: Si e zbuloi dhëndri i Trump bregdetin mahnitës të Shqipërisë

Financial Times: Si e zbuloi dhëndri i Trump bregdetin mahnitës të Shqipërisë

Financial Times ka publikuar një artikull të gjatë, ku analizohet ecuria e biznesit të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit Trump.

Në artikull përmendet dhe historia se si lindi ideja për investimet në Sazan në Shqipëri dhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin Rama. I cituar nga FT, kryeministri Rama shprehet i entuziazmuar për investimin në vendin e tij. Lidhja e Donald Trump me projektin e resortit luksoz përbën një “vlerë të shtuar të jashtëzakonshme”, pranon ai.

Në verën e vitit 2021, Jared Kushner ishte duke lundruar në Mesdhe me familjen e tij, disa muaj pas përfundimit të mandatit të parë të trazuar të vjehrrit të tij, Donald Trump. Ndërsa u ndalwn pranë bregdetit shqiptar, ai i kërkoi një miku të tij të ndërmjetësonte një takim në jahtin e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Gjatë darkës, Rama, i njohur për natyrën e tij miqësore, krijoi lidhje me Kushner dhe diskutoi se si bregdeti mahnitës Adriatik i Shqipërisë shpesh anashkalohet nga turistët e pasur që udhëtojnë mes Italisë dhe ishujve grekë.

“Kushner nuk përmendi investime,” kujton Rama. “Thjesht po pyeste për Shqipërinë… Praktikisht, ata nuk kishin fare njohuri mbi historinë shqiptare.” Kushner dhe familja e tij u larguan të nesërmen.

Kur u takuan sërish në Davos disa muaj më vonë, Rama thotë se Kushner i tregoi se i kishte pëlqyer shumë Shqipëria. Ai ishte takuar edhe me Mohamed Alabbar, miliarderin nga Gjiri Persik, i cili po zhvillon një marinë luksoze në portin e Durrësit. Të dy kishin diskutuar mbi mundësitë e investimeve, tregon Rama. “I thashë se kjo do të ishte e pabesueshme.”

Kushner vizitoi sërish Shqipërinë në verën e vitit 2023 me një grup më të madh, duke përfshirë Richard Grenell, një aleat të afërt të Trump-it, i cili kishte shërbyer si i dërguari i tij për Ballkanin gjatë mandatit të parë dhe që së fundmi ishte emëruar si i dërguar special për mandatin e dytë të Trump-it. “Ata qëndruan rreth një javë, duke vizituar vende të ndryshme,” thotë Rama. “Kësaj here, Kushner ishte i qartë: ‘Jemi të interesuar të investojmë.’”

Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, vetëm tre javë përpara inaugurimit të dytë të Trump-it, qeveria shqiptare dha miratimin paraprak për Kushner që të zhvillojë një resort luksoz prej 1.4 miliardë dollarësh në Sazan, ishullin e vetëm të Shqipërisë në Mesdhe. Ky është një nga investimet më të rëndësishme të firmës së tij të kapitalit privat, Affinity Partners, të cilën Kushner e themeloi menjëherë pas përfundimit të mandatit të parë të Trump-it, kryesisht me fonde nga Arabia Saudite.

Marrëveshja në Shqipëri ofron një pasqyrë mbi perandorinë e biznesit që Kushner ka ndërtuar që nga largimi i tij nga pozita si këshilltar i lartë në administratën e parë të Trump-it. Gjatë asaj kohe, ai luajti një rol kyç në disa çështje të politikës së jashtme, veçanërisht në Lindjen e Mesme, dhe u konsiderua nga shumë diplomatë si një zgjidhës i efektshëm i problemeve.

Para se të hynte në politikë, Kushner ishte një zhvillues pronash, me fokusin kryesor në qytetin e Nju Jorkut. Megjithatë, që nga largimi nga Uashingtoni, ai ka ndërtuar një portofol global me aksione kompanish dhe prona në Evropën Lindore, Gjirin Persik dhe Amerikën Latine.

Shumë nga këto marrëveshje janë lehtësuar nga kontaktet që ai krijoi gjatë kohës që ishte në qeveri – ose nga profili i lartë që fitoi si një nga ndihmësit më të besuar të vjehrrit të tij. Kushner ka treguar aftësinë për të shndërruar marrëdhëniet dhe afërsinë me pushtetin në investime të mëdha.

Një shembull i kësaj është pozicionimi i tij si një ndërmjetës për investitorët nga Gjiri Persik që duan të investojnë në sektorin privat dinamik të Izraelit.

Kushner thotë se modeli i tij i biznesit bazohet në aftësinë për të parë trendet përpara të tjerëve. “Ndihem shumë rehat duke qenë kundër rrymës,” i thotë ai FT-së. “Ishte e lehtë për mua të mbështesja Trump-in kur njerëzit në rrethin tim mendonin se kjo nuk ishte popullore apo e zgjuar. Besoja se mund të arrija përparim në Lindjen e Mesme, edhe kur të gjithë thoshin se isha i çmendur.”

Edhe përpara se Trump të fitonte sërish zgjedhjet, Kushner përballej me akuza për konflikte të mundshme interesi. Demokratët kanë sugjeruar se investitorët nga Gjiri Persik mund ta shihnin financimin e Kushner-it si një mënyrë për të fituar favorin e Trump-it.

Këto pikëpyetje ka të ngjarë të shtohen tani që Trump është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Kushner nuk ka një rol zyrtar, por ai është vënë në dispozicion për të këshilluar administratën mbi çështje të caktuara.

Në veçanti, ai është i angazhuar mbi mundësinë e një afrimi mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, dy vende ku ai ka lidhje të thella politike. Megjithatë, kjo do të nënkuptonte që ai të këshillonte mbi një çështje që prek drejtpërdrejt shtetin saudit – i cili është gjithashtu një nga investitorët më të mëdhenj në Affinity, firmën e tij të kapitalit privat.

“Kam shqetësimin se Kushner, ashtu si edhe anëtarë të tjerë të familjes Trump, do të përfitojë financiarisht duke përdorur statusin e tij për të sugjeruar se mund të ndikojë në politikat e administratës,” thotë Michael Meltsner, profesor i drejtësisë në Universitetin Northeastern.

Kushner këmbëngul se nuk ka asnjë konflikt interesi dhe se shumica e kritikave janë të motivuara politikisht. “Këto nuk janë hetime të mirëfillta,” thotë ai. “Është një sulm politik pa asnjë bazë reale.”

Si trashëgimtar i një perandorie të pasurive të paluajtshme në Nju Jork, Kushner realizoi fitimet e tij të para ndërsa studionte në Harvard në fillim të viteve 2000, duke blerë apartamente me vlerë 9 milionë dollarë në një lagje punëtore të Bostonit dhe më pas duke i shitur për gati dyfishin, pasi zona u urbanizua.

Por një sprovë vendimtare erdhi pak para krizës financiare. Në vitin 2005, ai mori drejtimin e biznesit familjar të pasurive të paluajtshme kur i ati, Charles Kushner, u dënua me burg për mashtrim fiskal dhe manipulim dëshmitarësh. Charles u akuzua se kishte punësuar një prostitutë për të joshur kunatin e tij, i cili po bashkëpunonte me autoritetet. Ai u fal nga Trump në vitin 2020 dhe tani është propozuar për të qenë ambasadori i ardhshëm i SHBA-së në Francë.

Familja Kushner bëri bujë në vitin 2007 kur shiti asetet e saj në periferi për të financuar blerjen e një rrokaqielli në Fifth Avenue për 1.8 miliardë dollarë. Koha ishte e gabuar dhe vlera e pronës ra shpejt nën borxhin e saj, duke çuar në vite negociatash ku Kushner dhe i ati arritën të mbajnë larg kreditorët dhe të vazhdojnë të investojnë fuqishëm, duke hedhur 14 miliardë dollarë në marrëveshje pronësie.

Deri në vitin 2011, Kushner kishte shitur hapësirën tregtare të ndërtesës për 1 miliard dollarë për të ulur borxhin, por vështirësitë financiare vazhduan edhe gjatë pjesës më të madhe të mandatit të parë të Trump-it. Në vitin 2018, gjiganti kanadez i pasurive të paluajtshme Brookfield pagoi 1.1 miliardë dollarë për të marrë kontrollin e ndërtesës, duke i mundësuar Kushner-it të shlyente borxhet e mëdha dhe të ruante një interes në qiranë e truallit.

Në atë kohë, Kushner ishte një nga këshilltarët më me ndikim në Shtëpinë e Bardhë. Ai arriti të krijojë lidhje të ngushta me figura kyçe në Lindjen e Mesme, duke ndërtuar marrëdhënie të ngushta me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, princin e kurorës saudite Mohammed bin Salman dhe presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed bin Sultan Al Nahyan.

Kushner ishte në krye të negociatave të SHBA-së për Marrëveshjet Abraham, të cilat çuan në normalizimin e marrëdhënieve të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin. Ai e shndërroi këtë sukses diplomatik në një mundësi biznesi.

Në janar të vitit 2021, ai themeloi Affinity Partners për t’u fokusuar në sektorë si inteligjenca artificiale dhe energjia e pastër. Një nga mbështetësit e tij të parë ishte fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite, i cili investoi 2 miliardë dollarë – praktikisht e gjithë kapitali fillestar i jashtëm i firmës. Vitin e kaluar, Kushner tërhoqi edhe 1.5 miliardë dollarë të tjerë nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari, duke menaxhuar tani një total prej 4.6 miliardë dollarësh.

Grumbullimi i një kapitali kaq të madh për një firmë të vogël, pa ndonjë histori të dukshme investimesh, i mundësoi Kushner-it të fitonte para thjesht duke menaxhuar fondet. Me një tarifë prej 1.25 për qind të kapitalit të investitorëve, Affinity pritet të gjenerojë miliona dollarë në vit nga tarifat e menaxhimit, me pjesën më të madhe të fitimeve mbi shpenzimet operative që shkon te Kushner, si aksioneri kryesor. Për të fituar tarifa më të larta nga performanca, investimet e Kushner-it duhet të arrijnë objektiva të larta fitimi.

Grupi i tij i ri i kapitalit privat (PE), me seli në një rrokaqiell buzë ujit në Miami, ku ndodhet edhe financieri miliarder Carl Icahn, filloi me rreth dy duzina punonjësish. Në mesin e tyre ishin edhe ish-zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë si Avi Berkowitz, një nga arkitektët e Marrëveshjeve Abraham, Kevin Hassett, këshilltar ekonomik i Trump-it, dhe Thomas Storch, ish-zëvendësdrejtor për ekonominë ndërkombëtare. Stafi i investimeve përfshin gjithashtu Luis Videgaray, ish-ministër i Jashtëm i Meksikës. Megjithatë, firma ka përjetuar një numër të konsiderueshëm largimesh, me disa punonjës të hershëm që janë kthyer në role qeveritare.

Gjatë vitit të parë të plotë të investimeve, Affinity finalizoi tre marrëveshje të mëdha, përfshirë një investim prej 200 milionë dollarësh në Mosaic, një kompani financimi për pajisje diellore në çatitë e ndërtesave. Investime të tjera të hershme përfshinin Dubizzle, një platformë njoftimesh online me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe Unybrands, një kompani që blen dhe konsolidon shitës brenda platformës së e-commerce të Amazon-it. Unybrands kishte mbështetjen e Adam Neumann, ish-drejtor i WeWork, me të cilin Kushner ishte njohur vite më parë.

Së fundmi, ai ka investuar qindra miliona dollarë dhe ka marrë një vend në bordin drejtues të QXO, një kompani investimesh e drejtuar nga miliarderi Bradley Jacobs, e cila kohët e fundit ka nisur një ofertë armiqësore prej 11 miliardë dollarësh për blerjen e një kompanie amerikane të materialeve të ndërtimit.

Kushner ka kryer gjithashtu investime të mëdha minoritare në dy kompani të njohura izraelite, përfshirë Phoenix Financial, një konglomerat sigurimesh me rritje të shpejtë në Izrael, i cili menaxhon mbi 100 miliardë dollarë asete për mbajtësit e policave në rajon.

Kushner beson se kontaktet e tij unike si në Izrael ashtu edhe në Gjirin Persik e bëjnë atë një ndërmjetës të besueshëm. “Affinity ka të bëjë me bashkimin e njerëzve për të realizuar gjëra që përndryshe nuk do të ndodhnin,” thotë ai. Në vitin 2023, një fond shtetëror i Emirateve të Bashkuara Arabe u përpoq të investonte në Phoenix, por u bllokua nga rregullatorët izraelitë. Megjithatë, investimi i Affinity, i cili përfshinte fonde nga Arabia Saudite, Emiratet dhe Katari, u miratua.

Marrëveshjet e hershme të Affinity nuk kanë sjellë ende kthime të mëdha. Unybrands është përballur me rritje të ngadaltë dhe nuk ka dorëzuar dokumente financiare për dy vite, duke ngritur shqetësime mbi gjendjen e saj financiare. Kolapsi i rivalit të saj më të madh, Thrasio, ka shtuar dyshimet mbi të ardhmen e kompanive që blejnë dhe konsolidojnë shitës në platformën e Amazon. Megjithatë, Affinity thotë se Unybrands ka një rrjedhë të qëndrueshme parash.

Mosaic Solar, investimi i parë i shpallur nga Affinity, është përballë presioneve nga shkurtime të subvencioneve për energjinë e rinovueshme nën administratën e re të Trump-it. Deri më tani, firma ka investuar mbi 2 miliardë dollarë dhe është angazhuar për 1 miliard dollarë të tjerë në investime, por ende nuk ka kthyer shumë para te investitorët, sipas një hetimi të Senatit vitin e kaluar. Megjithatë, duke qenë se investitorët privatë zakonisht dalin nga investimet e tyre pas pesë vitesh, mungesa e shpërndarjeve nga Affinity nuk konsiderohet ende jashtë normales.

Jo të gjitha investimet kanë pasur vështirësi. Kompania gjermane e fitnesit EGYM, e mbështetur nga Affinity, së fundmi ka siguruar 200 milionë dollarë financim me një vlerësim të përgjithshëm mbi 1 miliard dollarë, rreth dyfishin e kostos së saj fillestare. Vlerat e tregut të Phoenix dhe QXO gjithashtu janë rritur që nga investimi fillestar i Affinity.

Aktualisht, Kushner është në bisedime për investime në inteligjencën artificiale dhe qendrat e të dhënave, të cilat mund të kapin vlera prej miliarda dollarësh. Ai po negocion gjithashtu një marrëveshje të madhe në Meksikë për një kompani menaxhimi mbetjesh – një vend me të cilin kishte lidhje të ngushta edhe gjatë kohës së tij në Shtëpinë e Bardhë – duke besuar se industrializimi i vendit do të përfitojë nga zhvendosja e zinxhirëve të furnizimit të SHBA-së më pranë territorit të saj. Megjithatë, kërcënimi i tarifave doganore mund të rrezikojë marrëveshjen.

Një investitor i afërt me Kushner thotë se ai “është i fokusuar në ndërtimin e biznesit të tij të investimeve”, duke shtuar: “Ai padyshim ka diçka për të vërtetuar në këtë fushë.”

Pasi fillimisht u shmang nga investimet në pasuri të paluajtshme, Affinity është rikthyer në këtë sektor – por këtë herë larg Manhattanit.

Marrëveshja e parë u bazua në lidhjet me liderët politikë të krijuara gjatë mandatit të parë të Trump-it. Në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, Affinity ka marrë me qira ish-ndërtesën e Ministrisë së Mbrojtjes së Jugosllavisë, e cila po prishet për t’u transformuar në një hotel luksoz dhe një kompleks rezidencial modern.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili pati marrëdhënie të mira me administratën e parë të Trump-it, i tha FT vitin e kaluar se ishte shumë krenar për këtë projekt. “Do të sjellë më shumë investitorë – dhe kjo do të tërheqë gjithnjë e më shumë njerëz në Beograd,” tha ai. “Kjo është e mirë për miqësinë serbo-amerikane.”

Richard Grenell, i cili kishte një rol kyç në diplomacinë e Ballkanit Perëndimor gjatë fundit të mandatit të parë të Trump-it, e ka paraqitur këtë marrëveshje si një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet e Serbisë me Perëndimin dhe për ta larguar atë nga ndikimi historik i Rusisë.

Grenell nuk u tërhoq kurrë,” thotë Zorana Mihajlović, ish-zëvendëskryeministre e Serbisë për tetë vite deri në vitin 2022. “Ai ka qenë gjithmonë këtu.”

Edhe Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, është i entuziazmuar për investimin në vendin e tij. Lidhja e Donald Trump me projektin e resortit luksoz përbën një “vlerë të shtuar të jashtëzakonshme”, pranon ai. “Nuk mund ta fsheh. Pas njoftimit të marrëveshjes nga Jared Kushner, çmimet e pasurive të paluajtshme në [resortin e afërt të] Vlorës patën një rritje të dukshme.”

Sipas Ramës, duke u përqendruar te klientët super-luksozë, projekti i Kushnerit do ta ndihmojë Shqipërinë të përfitojë nga turizmi, pa shkaktuar dëmtime të mëdha në zonat e mbrojtura natyrore, ashtu siç do të ndodhte me një zhvillim turistik masiv. “Ne kemi nevojë për super-lukse në këtë vend, ashtu si shkretëtira ka nevojë për ujë,” thotë ai. “Ajo që fiton nga 500 jahte është e barabartë me atë që fiton nga 40,000 turistë me buxhet të ulët.”/Monitor.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat