back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 16 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaFormalizimi i pronësisë dhe stimuj fiskalë/ Si funksionon Paketa e Maleve për...

Formalizimi i pronësisë dhe stimuj fiskalë/ Si funksionon Paketa e Maleve për poseduesit jopronarë në veri

Janë hapur aplikimet për Paketën e Maleve, një iniciativë ligjore dhe administrative e orientuar drejt nxitjes së zhvillimit ekonomik dhe të investimeve në zonat malore të Shqipërisë, me një fokus të veçantë në zonat e veriut. Kjo paketë synon të krijojë kushte të favorshme për investitorët dhe poseduesit e tokave malore përmes një procesi të thjeshtuar dhe përfitimesh fiskale të rëndësishme.

Të gjithë personat që zotërojnë toka në zonat malore dhe duan të investojnë në to, mund të aplikojnë tani online në portalin zyrtar të qeverisë “paketaemaleve.gov.al”. Në këtë portal janë të disponueshme edhe të gjitha informacionet dhe procedurat që duhet të ndiqen për regjistrimin dhe marrjen e lejeve të nevojshme për zhvillimin e pronave të tyre.

Përjashtime fiskale dhe stimuj për investitorët

Një nga elementët më të rëndësishëm të kësaj pakete është përjashtimi nga disa taksa për 500 aplikuesit e parë që plotësojnë kriteret. Për 10 vitet e ardhshme, këta investitorë përfitojnë:

Përjashtim nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH)

Përjashtim nga Tatimi mbi të Ardhurat

Përjashtim nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme

Përjashtim nga taksat për infrastrukturën

Këto masa pritet të nxisin investime të reja në zhvillimin e pronave, si ndërtimin e bizneseve, turizmit apo agrobiznesit në zonat malore.

Adresimi i problemit të pronësisë në zonat malore

Një nga sfidat më të mëdha në zhvillimin ekonomik të këtyre zonave është mungesa e certifikatave të pronësisë për shumë toka, veçanërisht në zonat veriore. Sot, një pjesë e konsiderueshme e tokave administrohen nga posedues jopronarë, që nuk disponojnë tituj formalë pronësie, duke e bërë të vështirë marrjen e lejeve të ndërtimit dhe zhvillimit.

Paketë e Maleve synon të zgjidhë këtë problem përmes një procesi të thjeshtuar administrativ, ku poseduesit jopronarë do të verifikohen nga bashkitë për të përcaktuar gjendjen reale të pronës. Pas kësaj verifikimi, për ata që kanë plane zhvillimi dhe marrin lejen përkatëse, do të mundësohet dhënia e pronësisë ligjore me një çmim simbolik prej 1 euro.

Qëllimet kryesore të Paketës së Maleve

Përmes këtij ligji, qeveria synon rimëkëmbjen ekonomike të zonave malore, duke rritur të ardhurat bashkiake përmes formalizimit të pronësisë dhe aktivitetit ekonomik. Në të njëjtën kohë, pritet të stimulohen investimet në këto zona dhe të frenohen fenomenet e emigracionit, që vazhdojnë të jenë shqetësuese për zhvillimin social dhe ekonomik të maleve shqiptare.

Përmes këtij procesi, poseduesit e tokave që deri tani ishin në një situatë të pasigurtë ligjore, do të kenë mundësi të zhvillojnë pronat e tyre në mënyrë të rregullt dhe të përfitojnë nga stimuj fiskalë dhe juridikë që do të krijojnë një klimë më të mirë për biznes dhe zhvillim lokal.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat