Policia e Shtetit ka rrethuar mëngjesin e sotëm ambientet ku operojnë News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, duke ndaluar hyrjen e gazetarëve në redaksi. Veprimi, thuhet se është ndërmarrë pa një vendim gjykate të bërë publik dhe pa paralajmërim zyrtar, ndërsa është ndërprerë edhe furnizimi me energji elektrike në godinë.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) e ka cilësuar këtë një “shkelje flagrante të lirisë së medias dhe demokracisë”, duke kërkuar që qasja e gazetarëve në ambientet e punës të rikthehet menjëherë dhe çdo mosmarrëveshje të zgjidhet me dialog, jo me forcë.
Organizata rajonale “SafeJournalists” ka paralajmëruar se veprime të tilla përbëjnë rrezik serioz për pavarësinë e medias në Shqipëri.
Ende nuk ka një deklaratë të detajuar nga autoritetet për arsyet e ndërhyrjes, ndërsa situata vijon të tensionohet përpara godinës.