Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj, të cilët akuzohen si pjesë e një grupi kriminal që ndërmori një sulm kibernetik ndaj adresave elektronike të disa prokurorëve të SPAK. Të dy mbeten në masën e arrestit me burg, ndërsa hetimet e SPAK vijojnë për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë të përfshirë në rrjedhjen e të dhënave sekrete nga dosje të ndjeshme.
Ngjarja ndodhi më 12 mars, kur persona të paautorizuar arritën të ndërhyjnë në adresat zyrtare të prokurorëve. Megjithëse nuk arritën të depërtonin në sistemet e brendshme të sigurisë, SPAK konfirmoi se një sasi e kufizuar të dhënash u shkarkua dhe u shpërnda më pas në mënyrë të paligjshme.
Sipas të dhënave zyrtare, arrestimi i dy të dyshuarve u krye brenda 24 orëve nga sulmi. Gjatë operacionit u sekuestruan pajisjet elektronike të përdorura, si dhe skedarët e shkarkuar nga emailet e prokurorëve.
Hetimet e mëtejshme kanë zbuluar se informacionet e përfituara janë shpërndarë te persona të tjerë, përfshirë dy gazetarë, ish-drejtorin e Burgjeve Agim Ismaili dhe Dritan Palnikajn, aktualisht sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë. Të gjithë këta persona janë përfshirë në hetim për rolin e mundshëm në rrjedhjen dhe përhapjen e të dhënave sensitive.
SPAK po thellon hetimet për të zbardhur të plotë skemën e sulmit dhe për të identifikuar të gjitha hallkat e zinxhirit që qëndron pas tentativës për të cënuar sistemin e drejtësisë në një prej institucioneve më të rëndësishme të hetimit në vend.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur debati për sigurinë kibernetike dhe transparencën institucionale është në rritje, sidomos në kushtet kur sistemi i drejtësisë është nën presion nga ngarkesa e dosjeve dhe reformat në vazhdim.