back to top
27.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025
spot_img
KreuAktualitetHasani në ministerialin e Tiranës: Zgjerimi i BE është investim për paqe

Hasani në ministerialin e Tiranës: Zgjerimi i BE është investim për paqe

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deklaroi sot se Shqipëria mbetet e vendosur në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vendosur si objektiv përfundimtar anëtarësimin brenda vitit 2030 dhe përmbylljen e negociatave deri në 2027.

Gjatë fjalës së tij në ministerialin e Evropës Juglindore, që po zhvillohet në Tiranë, Hasani u ndal edhe te zhvillimet e fundit ndërkombëtare, duke shprehur shqetësimin për tensionet në rritje në Lindjen e Mesme dhe bëri thirrje për vetëpërmbajtje ndaj të gjitha palëve të përfshira.

“Mblidhemi në kohë transformimesh të thella për rajonin tonë. Zgjerimi i BE-së është një investim strategjik për paqen në Evropë. Shqipëria është në rrugën e duhur dhe synimi ynë është ambicioz: t’i mbyllim negociatat deri në 2027”, u shpreh Hasani.

Në vijim të fjalës së tij, ministri shqiptar komentoi mbi përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, duke rindërtuar qëndrimin e Shqipërisë për sigurinë ndërkombëtare dhe armët bërthamore.

“Jemi të shqetësuar nga tensionet në Lindjen e Mesme. Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të mbrojtur qytetarët e vet, por një përshkallëzim i mëtejshëm, veçanërisht në drejtim të armëve bërthamore, do të kishte pasoja katastrofike. I bëjmë thirrje të gjitha palëve për përmbajtje maksimale.”

Hasani theksoi se sfidat e sigurisë globale, agresionet dhe përplasjet ushtarake, nuk duhet të pengojnë vullnetin e vendeve të rajonit për të avancuar drejt integrimit evropian dhe bashkëpunimit ndërfqinjësor.

Ministeriali i Evropës Juglindore në Tiranë vjen në një moment të rëndësishëm për rajonin dhe për vetë Shqipërinë, e cila ndodhet në fazën aktive të negociatave për anëtarësim në BE.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat